Ndërlidhjet

Më 13 prill, zgjedhjet presidenciale në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni do të mbahen më 13 prill, bëri të ditur kryetar i Kuvendit, Trajko Veljanovski, i cili është i obliguar me Kushtetutë të dekretojë zgjedhjet për kreun e shtetit.

“Po hyjmë në proces zgjedhor, në të cilit janë përcaktuara të gjitha rregullat që janë pranuar si nga njëra, ashtu edhe nga pala tjetër. Pres që të respektohen këto rregulla dhe të dëshmojmë pjekurinë demokratike dhe në një atmosferë të qetë dhe demokratike, qytetarët të vendosin ashtu siç mendojnë se është më së miri“, deklaroi Velajnovski.

Partitë, brenda 20 ditëve, janë të obliguara të publikojnë emrat e kandidatëve, ndërsa më pas fillojnë edhe afatet tjera të fushatës dhe të verifikimit të kandidaturave, nëse i plotësojnë ose jo kushtet për të hyrë në garë.

Fushata do të zgjasë 20 ditë, ndërsa sa i përket emrave, përveç disa kandidatëve të pavarur, ende nuk është zyrtarizuar asnjë kandidaturë, qoftë nga partitë politike maqedonase apo ato shqiptare.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që kryesohet nga Ali Ahmeti, tani një kohë të gjatë ka insistuar për një kandidat konsensual me partitë maqedonase, që i njëjti të ketë mbështetjen e dy bashkësive më të mëdha etnike në vend, por kërkesa e tij, ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje të prerë nga partneri i saj qeverisës, VMRO-DPMNE.

Madje, njoftimet e fundit jozyrtare bëjnë të ditur se partia e kryeministrit Nikolla Gruevskit, do të refuzojë një ide të tillë, dhe nuk përjashton mundësinë që të rikandidojë edhe për një mandat presidentin aktual, Gjorgje Ivanov.

Në një rast të tillë, BDI-ja nuk përjashton mundësinë e largimit nga Qeveria, e që do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, debatet nëse do të ketë ose jo president konsensual, në opinion vlerësohen si lojë e partive në pushtet, që krahas me zgjedhjet për presidentin të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme, për të siguruar edhe një mandat qeverisë, një vit para skadimit të mandatit të përbërjes aktuale parlamentare.

Faktori shqiptar, mendoj BDI-ja, është futur në një lojë me çështjen e presidentit, e cila do t’i shërbej VMRO-së si alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, asgjë më tepër”, thotë Mersim Polloxhani, njohës i çështjeve juridike.

Ai thekson se presidenti konsensual mund të arrihet vetëm se në Kuvend edhe atë pas ndryshimit të Kushtetutës në pjesën e zgjedhjes së kreut të shtetit.

“Faktorizimi dhe defaktorizimi i shqiptarëve nuk varet nga dëshira e partive politike maqedonase, por nga vetë partitë shqiptare, të cilat nuk arrijnë të bëjnë një strategji konsensuale se si do të veprojnë, se çfarë nënkupton president konsensual, mes kujt do të jetë ky konsensus, mes partive në pushtet apo mes maqedonasve dhe shqiptarëve, meqë dallimet këtu nuk janë partiake, por etnike. Kështu siç po zhvillohen debatet, mendoj se konsensusi nuk mund të arrihet asnjëherë”, thekson Pollozhani

Nga ana tjetër, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin e Shkupit, beson se partitë kanë arritur kompromise tjera, meqë sipas tij, është më se e qartë se presidenti konsensual nuk mund të zgjidhet në këtë formë.

“Sa i përket kandidatit konsensual, si duket, kjo nuk do të arrihet kësaj radhe. Me siguri se do të ketë ndonjë lëshim tjetër në kontekst të ndonjë posti të rëndësishëm në shtet, që do të merrej nga partia shqiptare në pushtet pas zgjedhjeve, por kandidat konsenual nuk do të ketë“, vlerëson Dujoski.

Ndërkohë, dekreti për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 prill është dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, organ ky i cili është i autorizuar për organizimin e procesit zgjedhor.

Në rast se më 13 prill asnjëri nga kandidatët nuk merr mbi 50 për qind të votave, atëherë pas dy javësh do të mbahet rrethi i dytë, në të cilin marrin pjesë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në rrethin e parë.
XS
SM
MD
LG