Ndërlidhjet

WP: Putini humb lojën me Olimpiadën e Soçit


Vladimir Putin

Vladimir Putin

Kjo do të duhej të ishte java kur Vladimir Putini e riprezenton Rusinë në botë: e sigurt dhe fuqi në rritje ekonomike, ndikimi i së cilës në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme po kthehet; aftësia për t’i bllokuar dhe kundërshtuar Shtetet e Bashkuara, që është rindërtuar nëpërmjet Putinit, e ofron një model të ri të konservatorizmit për ata që janë të zhgënjyer me Perëndimin liberal, shkruan në fillim të artikullit në Washington Post.

Gazeta shkruan se duke filluar prej të premtes, Olimpiada në Soçi, me gjasë, më tepër do të jetë forum për demonstrim se si dhe përse sundimi i Putin në Rusi ka dështuar, dhe si fuqia e tij po dobësohet si jashtë Rusisë, ashtu edhe brenda saj.

Mund të fillohet me skenën në Soçi. Aktualisht Putin tha se ai “do të dëshironte që pjesëmarrësit, simpatizuesit, gazetarët dhe të gjithë ata që i shikojnë lojërat në televizion, ta shohin një Rusi të re, ta shohin fytyrën e saj dhe mundësitë”.

Këtu janë disa rreshta të tregimeve që deri tash janë krijuar në lojëra: stalinisti e ka kaluar shumën prej 50 miliardë dollarëve të shpenzuar, ndërsa pjesa më e madhe ka mundur të jetë vjedhur; fjalimi i urrejtjes i drejtuar nga Putini ndaj komunitetit homoseksual dhe protestat që janë shkaktuar; dhe ajo që është më së shumti sugjeruese, “të vejat e zeza” dhe terroristët e tjerë, që mund t’i dëmtojnë lojërat, shkruan Washington Post.

Bota e civilizuar do të lutet që terroristët të mos kenë sukses. Por, kjo ndoshta ka bërë që të reflektohet se si saktësisht Rusia erdhi në situatën që t’i ketë xhihadistët islamikë më të rrezikshëm në botë, të rritur në këtë vend.

Përgjigja e thjeshtë është se Putin e lansoi karrierën e tij në vitin 1999, duke e invaduar Republikën Kaukaze të Çeçenisë, që atëherë ishte rajon autonom.

Ai e shkatërroi qeverinë sekulare dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike të rajonit, e shkatërroi kryeqytetin e tij me zjarr joproporcional artilerik dhe pastaj pretendoi se çdokush që bënë rezistencë është terrorist, ndaj të cilit ai do të ndërmerren masa shkatërruese.

Propaganda e tij u dëshmua se ishte vetëm për nevoja të tij, ndërsa ekstremistët që ai i krijoi kanë qëndruar.

Refleksioni në Çeçeni, në mënyrë natyrore çon në shqyrtimin e Sirisë, ku Putini e ka mbështetur regjimin e Bashar al-Assadit, me pothuajse strategji identike për ta luftuar atë që filloi si lëvizje masive protestuese sekulare.

Rezultatet janë të njëjta: paraqitja e njësiteve të al-Kaidës siriane, që më parë nuk ka ekzistuar. Para pak muajve, shumë besonin se Putini, megjithatë, kishte pasur sukses në ringjalljen e Assadit, dhe me të, vendin e Rusisë në Lindjen e Mesme.

Ai i ka parandaluar sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe e ka ndërruar drejtimin duke e futur perëndimin në negociata me regjimin, shkruan Washington Post.

Por gambiti sirian i Putinin është thartuar. Javën e kaluar të dërguarit e Assadit në bisedimet paqësore në Gjenevë e hidhëruan edhe vet delegacionin e Rusisë me sjelljen teatrale, derisa Departamenti amerikan i shtetit raportoi se plotësimet e Assadit lidhur me premtimet për ta dorëzuar armatimin kimik “janë dobësuar dhe ndalur seriozisht”.

Në terren, dërgimi masiv i armatimit rus për forcat e Assadit ka dështuar ta thyejë rrugën pa krye, ndërsa analistët e pavarur parashikojnë një ofensivë të ripërtërirë të kryengritësve në Damask këtë pranverë.

Siria ndoshta nuk do të përfitojë shumë nga këto zhvillime, por Rusia dhe Putini po e paguajnë çmimin. Njeriu thellë i preokupuar me vetveten si sundues i superfuqisë e pa vetveten të turpëruar në samitin BE-Rusi, javën e kaluar, kur e refuzoi darkën tradicionale me evropianët, të cilët ishin të neveritur me politikën e tij të jashtme.

Kjo ndodhi, pasi presidenti Barack Obama, dështoi që bile ta përmend Rusinë ose liderin e saj në fjalimin e tij për gjendjen e vendit.

“Ripërtërija” e raporteve SHBA – Rusi, e cila i lejoi Putinit që ta paraqes vetveten si homolog i presidentit amerikan, praktikisht është fshirë, shkruan Washington Post.

Nga ana tjetër, derisa drama në Ukrainë ende nuk ka përfunduar, ajo që e dimë është se ideologjia e Putinit është refuzuar nga pjesa më e madhe e ukrainasve, të cilët e okupuan pothuajse secilin këshill të qytetit, pasi qeveria e miratoi legjislacionin anti-protestë, të importuar nga Rusia.

Përsëri Putini do ta paguaj çmimin, me shkatërrimin e mundshëm të ëndrrës së tij për “Unionin Euroaziat”, që do të ishte rival i BE-së dhe do ta ripërtërinte pjesën më të madhe të sferës së hegjemonisë sovjetike të Moskës.

Megjithatë, politikat e Putinit po kalojnë më mirë në Rusi. Por, atje, po ashtu, çdo gjë nuk po shkon mirë: njëherë rritja e fuqishme ekonomike është ndalur, rubla po e humbë vlerën e saj, investimet shumë të nevojshme të jashtme janë të pamjaftueshme, me zemërimin e korrupsionit të stilit të Soçit, shkruan pos tjerash, e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG