Ndërlidhjet

Kuvendi debaton më 6 shkurt për krizën në UP


Ilustrim
Ilustrim
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të debatojnë të enjten për zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës.

Kjo gjë u vendos në mbledhjen e sotme të kryesisë së kuvendit, pas miratimit të kërkesës që kishte paraqitur grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovë, thuhet në njoftimin e dërguar pas mbledhjes së këtij trup të hënën në Prishtinë.

Në seancën e së enjtes, do të shqyrtohen ndër të tjera edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit; projektligji për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Kosovë, si dhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Në seancën e 6 shkurtit, ligjvënësit do të shqyrtojnë, ndërkaq, edhe Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar "Sharri".

Si pika të fundit të kësaj seance janë paraparë emërimi i një anëtari të Bordit të RTK-së, si dhe shqyrtimi i propozimit të Këshillit Gjyqësor për emërimin e Organit përzgjedhës të Pavarur, për përzgjedhjen e kryesuesit dhe të anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kryesia, ndërkaq, ka vendosur që me një seancë solemne Kuvendi , më 17 shkurt 2014, të shënojë gjashtë-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Gjatë mbledhjes së sotme të kryesisisë, është shqyrtuar edhe kërkesa e deputetes, Albulena Haxhiu (Vetëvendosje), e mbështetur nga deputetë të tjerë nënshkrues për procedimin e projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme, të cilën kryesia ia ka përcjellë qeverisë për mendim.

Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare kanë shqyrtuar edhe propozimin e Grupit Parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, i cili duhet të marrë edhe votën formale të deputetëve në seancë plenare.
XS
SM
MD
LG