Ndërlidhjet

logo-print

Në kërkim të dorëheqjes


Studentë, përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë i janë bashkuar protestës së studentëve, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi dhe inicimin e hetimeve në lidhje me keqpërdorimet e deritanishme në këtë institucion.

Protesta të hënën ka filluara para Rektoratit të UP-së, ndërkohë studentët përmes një marrshi të organizuar nga Grupi i studentëve, kanë marshuar rrugën nga qendra e studentëve deri në ndërtesën e rektoratit, ku iu janë bashkangjitur protestuesve.

Studentët janë penguar nga Policia e Kosovës për të hyrë brenda oborrit të këtij institucioni.

Megjithatë, barrikada e krijuara nga Policia e Kosovës është thyer dhe studentët protestues dhe këta të fundit kanë kaluar në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Leonard Miftaraj, student i cili iu ka drejtuar protestuesve, thekson se nuk mund të ketë arsim cilësor, derisa në kryer të Universitetit të Prishtinës është Ibrahim Gashi, i cili është graduar në titullin doktor shkence në mënyrë të falsifikuar.

“Nuk mund të kemi universitet, përderisa universiteti është pjesë e çdo pazari politik. Atyre që nuk ju gjendet vend në ministri i sjellin në rektorat. Andaj iu bëjë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës se nuk luftohet krimi duke u mbrojtur”, thekson Miftaraj.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i shoqërisë civile Avni Zogiani, konsideron se protesta e studentëve është me plotë të drejtë dhe se sipas tij, Universitetit i Prishtinës është bërë fytyra e turpit në shoqërinë kosovare.

“Dorëheqja e rektorit edhe kur ndodh ajo nuk e mbron punën. Universiteti i Prishtinë duhet të transformohet rrënjësisht nga një institucion masiv i prodhimit të diplomave duhet të kthehet në një qendër më të vogël të shkencën dhe vetëm për shkencën. I pari hap që kërkohet në këtë rrugë është heqja fizike dhe juridike e pushtit të qeverisë mbi të”, shton Zogiani.

Në mbështetje të studentëve ka dalë është profesori Universitetit të Prishtinës, Rashit Alidemaj i cili konsideroi se universiteti është shkatërruar nga njerëz jo profesionist, dhe se aktualisht është në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë .

“Unë po them që ky rektor jo që duhet të shkojë në shtëpi, por në burg”, nënvizoi profesor Alidemaj.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i Universitet të Prishtinës Labinot Hajdari ka thënë se rektori nuk do të japë dorëheqje, pasi që siç thekson ai, këtë po e kërkon një numër i vogël i studentëve.

“Rektori Ibrahim Gashi nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje. Rektori nuk do të dorëzohet para një grupi të studentëve jo më shumë se 100, derisa UP-ja i ka rreth 60 mijë studentë”, thekson ai.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", ka nisur tanimë procedurat për adresimin e përgjegjësisë eventuale për të gjitha nivelet dhe për të gjitha shkeljet e pretenduara.

Të hënën edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka kërkuar që organet përkatëse në Universitetin e Prishtinës të dëshmojnë nivel të lartë të përgjegjësisë dhe të angazhohen për të zgjidhur situatën e krijuar në UP.

Po ashtu, edhe Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovë që në seancës e së enjtes të Kuvendit të Kosovës të diskutohet për gjendjen e krijuar në UP.

Protesta e studentëve kanë filluar pas raportimit në mediat në Kosovë se në shumicën e punimeve shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si kontribut për fitimin e titullit e doktorit, janë të botuara në një revistë në Indi, e cila është revistë false shkencore.

Ndryshe, Ibrahim Gashi në korrik të vitit 2012, u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës për një mandat katërvjeçar për periudhën 1 tetor 2012 - 1 tetor 2016.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG