Ndërlidhjet

Maqedoni - të varfër ndihen edhe të punësuarit


Shkup...

Shkup...

Enti Shtetëror i Statistikave gjatë fundjavës ka bërë të ditur se rroga mesatare në Maqedoni për vitin 2013, ka qenë 21 mijë denarë.

Të punësuarit në transportin ajror dhe atë ujor, në farmaci dhe energjetikë, kanë marrë rroga më të larta, kurse rroga më të ulëta kanë marrë të punësuarit në industrinë e përpunimit.

Gjersa Qeveria e Maqedonisë ka promovuar një varg masash për uljen e varfërisë duke subvencionuar kompani private të cilat do të punësojnë persona të cilët janë shfrytëzues të ndihmave sociale.

Edhe kundrejt masave të shumta që ka ndërmarrë Qeveria e Maqedonisë për zbutjen e varfërisë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka Botërore, dy të tretat e popullatës në Maqedoni jeton me dy dollar në ditë, gjersa një e treta e popullatës me nën një dollar në ditë.

Arif Zendeli 32 vjeçar, thotë se ka kërkuar vazhdimisht punë, por arrin të punojë vetëm dy ose më së shumti tre muaj gjatë stinës së verës.

Madje nuk është as shfrytëzues i ndihmës sociale, si pasojë e pamundësisë së mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm.

“Jam pa shtëpi, me fëmijë të vogël gjashtë vjeçar, i cili është i sëmurë, jetoj me qira ku një ndihmë nuk marr nga shteti, sepse nuk i kam të siguruar dokumentet, kam kërkuar punë edhe në institucione, por s'kam gjetur“, thotë Arifi.

Ai del çdo ditë në rrugën e Bitpazarit me shpresë që ta angazhojë dikush si punëtor kahu për të siguruar të paktën bukën e gojës për familjen e tij tre anëtarëshe pa asnjë të ardhur në buxhetin familjar.

Ndërkohë, zëvendësministri i punës dhe politikës sociale, Ibrahim Ibrahimi thotë se janë ndërmarrë një varg ndryshimesh ligjore për të lehtësuar procedurat për marrjen e asistencës sociale për familjet e rrezikuara sociale, por sipas tij duhet të veprohet në informimin e kësaj kategorie si të arrijnë në shfrytëzimin e ndihmave.

“Po problemi ka ekzistuar dhe fatkeqësisht nuk mund ta zgjidhim menjëherë, sepse bëhet fjalë për familje të cilët kanë ndjekur vetëm arsimimin e ulët, ose nuk kanë kurrfarë përgatitje profesionale. Megjithatë me një varg masash të cilat po i ndërmerr Qeveria, janë marrë disa masa për lehtësimin e procedurave për shfrytëzimin e asistencës sociale. Presim që problemet të pakësohen dhe njëkohësisht ulet varfëria”, thotë Ibrahimi.

Por të varfër ndjehen edhe ata të ata të cilët kanë të punësuar një anëtar në familje dhe pensionistët.

Ja tani më duhet të paguaj 9 mijë e 200 denarë rrymë (150 euro), gjersa unë runë marr 17 mijë denarë pension, ndërkohë që gruaja ime është larguar nga puna si tepricë teknologjike, dhe merr vetëm pesë mijë denarë nga enti për punë, kështu që mezi se sigurojmë gjërat elementare si familje tre anëtarëshe. E kemi shumë vështirë me një student në familje, mundohemi të mbijetojmë", thotë Vladimir Tasevski nga Shkupi.

Ndërkaq, sociologët duke komentuar masat e marra nga ana e Qeverisë me të cilat synohet të zbutet varfëria, thonë se bëhet fjalë për masa populiste në funksion të përfitimit të poenave politikë para zgjedhjeve presidenciale.

“Rritja e pagës minimale është tepër jo serioze. Më shumë bëhet fjalë për një lojë psikologjike nga ana e Qeverisë që ushtrohet ndaj qytetarëve në kuptimin se rroga minimale është shumë e ulët dhe ja ne po bëjmë përpjekje për ta rritur atë“, thekson Ilija Acevski, sociolog.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë thonë se zgjidhja problemit të varfërisë duhet të kërkohet në zvogëlimin e papunësisë dhe jo subvencionimit apo ndihmave sociale, ngase sipas matjeve të statistikave, përqindje më e lartë e varfërisë është regjistruar pikërisht te të papunësuarit.
XS
SM
MD
LG