Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Mundësi e hapur për zgjedhje të parakohshme


Partitë politike kanë vazhduar me taktizimet lidhur me zgjedhjet presidenciale por edhe me ato të parakohshme parlamentare, të cilat besohet se do të jenë të paevitueshme nëse dështon ideja e Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjen e një presidenti konsensual mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Zëdhënësi i kësaj partie qeverisëse, Bujar Osmani thotë se në mbledhjen e fundit të kryesisë nuk është sjell ndonjë vendim për zgjedhje të parakohshme, por një mundësi e tillë është lënë e hapur, nëse nuk mbështetet propozimi i saj për president konsensual.

“Si variant për dalje nga kriza eventuale politike, kryesia në mbledhjen e fundit përcaktoi edhe një alternativë, atë të zgjedhjeve të mundshme të parakohshme si rezultat i sinjaleve që vinin në opinion se mund të dështon koncepti i kandidatit konsensual“, deklaroi Osmani.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja, ende nuk ka dalë me përgjigje nëse mbështet ose jo një ide të tillë.

Por, bazuar në deklaratën e fundit të kryeministrit Nikolla Gruevski, është mëse e qartë se kjo parti do të ketë kandidatin e saj ndërsa jo zyrtarisht bëhet e ditur se ai mund të jetë presidenti aktual, Gjorgje Ivanov, të cilin BDI-ja publikisht ka deklaruar se nuk do ta mbështesë për shkak të vlerësimeve se gjatë mandatit të deritanishme ai nuk ka përfaqësuar drejtë të gjithë qytetarëve e Maqedonisë.

Partitë opozitare, këto debate i kanë quajtur thjeshtë taktizime të partive në pushtet për të ardhur deri te zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

PDSH-ja e Menduh Thaçit nuk ka interes për këto zgjedhje, ndërsa sa i përket parlamentareve, ajo do të marrë pjesë meqë siç ka theksuar, kjo imponohet nga “lojërat e partive në pushtet“.

Edhe opozita maqedonase thotë se do të marrë pjesë në zgjedhje, por ende nuk ka caktuar kandidatin e saj.

“Lidhja social-demokrate është e gatshme për zgjedhjet presidenciale, të cilat vlerësojmë se do të jenë test për vullnetin politik të VMRO-DPMNE-së që të organizoj zgjedhje normale, të rregullta dhe demokratike“, ka përsëritur qëndrimin e opozitës, zëdhënësi Petre Shilegov.

Sipas kodit zgjedhor, partitë politike kandidatët e tyre janë të obliguar t'i shpallin deri më 13 mars, apo thuajse një muaj para zgjedhjeve të caktuar për 11 prill.

Por, sa këto zgjedhje mund të zgjidhin problemet me të cilat përballet Maqedonia, si në planin e brendshëm ashtu edhe në të ndërkombëtar? Albet Musliu, analist politik, thotë se gjithçka varet nga rezultati zgjedhor.

“Varësisht se a do të zgjidhet kryetar i shtetit, a do të zgjidhet në rrethin e dytë, a do të ketë koncensus, të gjithë këto mendoj se janë detaje që do të reflektohen në marrëveshjet post zgjedhore, flas për zgjedhje e parakohshme parlamentare. Nëse ndodhë që VMRO-ja të merr shumicën absolute, gjithsesi se kjo do të ndikonte në raportet e mëtejme me partnerin e koalicionit".

"Por nëse ndodhë që ajo të ketë ulje në numrin e deputetëve, pasi ka edhe parashikime të tilla, atëherë në një situatë të tillë do të rritej ndikimi i partnerit të koalicionit shqiptar dhe në një situatë të tillë do të rritej mundësia e negociatave për të mos thënë e presionit për zhbllokimin e procesit eurointegrues“, thekson Musliu.

Nëse vendoset për zgjedhje të parakohshme parlamentare ato thuhet se do të mbahen për 27 prill, së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
XS
SM
MD
LG