Ndërlidhjet

Protesta me “mëlmesa” politike?


Protesta e studentëve të UP-së

Protesta e studentëve të UP-së

Protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila po zgjat tash e disa ditë, ndonëse vlerësohet se ka një kauzë të drejtë për faktin se kërkon depolitizimin e universitetit, megjithatë po krijon hapësirë që të shfrytëzohet edhe nga parti të caktuara politike, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në vend, por edhe përfaqësuesit e vet partive të caktuara politike.

Në protestat e studentëve janë parë edhe eksponentë të partive të caktuara politike, por përfaqësuesit e Grupit të Pavarur të Studentëve, thonë se janë duke bërë përpjekje që protesta e tyre të mos degradojë.

Roland Sylejmani, nga Grupit i Pavarur i Studentëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka pasur individ që janë përpjekur ta shfrytëzojnë protestën për interesa që nuk përputhen me ato të studentëve.

“Herë pas here, individualisht, ka njerëz, të cilët, unë mendoj se po duan të fitojnë kredi politike në kurriz të kësaj proteste. Mirëpo, duhet me qenë të vëmendshëm dhe nëse ka dika më konkrete, unë besoj se do të dal me një komunikatë për medie, në emër të Grupit të Pavarur të Studentëve”, tha Sylejmani.

Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve politike në vend, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërkesa e studentëve protestues për depolitizim të Universitetit të Prishtinës, rrezikon të shndërrohet në politizim të protestës për këtë kërkesë.

“Në protestat e studentëve janë parë edhe eksponentë të partive politike, kryesisht zyrtarë të Lëvizjes vetëvendosje, të cilët i kanë përkrahur studentët në kërkesat e tyre. Kjo më lë të kuptoj se kryesisht ky subjekt politik, duke mos lënë anash edhe anëtarët e partive tjera politike, po përpiqet që këtë protestë të studentëve ta politizojë në kuptimin që të shfrytëzojë këtë nismë të studentëve, këtë grup të studentëve, në mënyrë që përmes gojës së studentëve dhe kërkesave të tyre, në fakt, t’i parashtroj edhe kërkesat e veta”, ka thënë Mushkolaj.

Shqetësimin për, siç është thënë, “tendencat e partive politike, të cilat tentojnë që t’i politizojnë protestat e studentëve të Universitetit të Pishtinës, duke i ngjyrosur me ngjyrë partiake”, ka shprehur përmes një komunikate për medie edhe Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky forum ka vlerësuar se Universiteti i Prishtinës “është e pamundur që të depolitizohet duke i politizuar kërkesat” dhe ka kërkuar që “të lihen studentët të organizohen”, sepse, siç thuhet, “më së paku kanë nevojë për metodat të dhunshme dhe jo qytetare të të protestuarit”.

Glauk Konjufca, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk e ka mohuar pjesëmarrjen e aktivistëve të kësaj lëvizjeje në protestat studentore.

Ai ka theksuar se kërkesat e studentëve janë të arsyeshme dhe Lëvizja Vetëvendosje i mbështet ato.

“Unë mendoj që nëse i shikoni kërkesat e studentëve, atëherë, nëse thuhet që: universiteti ti kthehet dijes, universiteti t’i kthehet shkencës, universiteti t’i kthehet hulumtimeve, pushteti t’i largoj duart prej universitetit, si dhe gjitha këto, nuk janë kërkesa partiake".

"Këto janë kërkesa edhe qytetare, por edhe kërkesa të interesit kombëtar. Tash, pse i thotë Lëvizja Vetëvendosje ato, nuk do të thotë që ato janë kërkesa partiake. Po ta pyesim secilin qytetarë të Kosovës, do të pajtohej me këto kërkesa”, u shpreh Konjufca.

Por, analisti Mushkolaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje po i shfrytëzon protestat studentore për qëllime të veta politike..

“Ne e dimë, po mendoj, nëse mund të them, strategjinë e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën unë shpesh them se mjaftojnë 5 veta që të bëhen bashkë, të tubohen dhe menjëherë një aktivist i lëvizjes vetëvendosje është aty apo të infiltrohet aty brenda, nëse mund të shprehem kështu".

"Natyrisht që qëllimi i protestës është fisnik, në kuptimin e kërkesave të studentëve dhe unë, nuk do të doja që kjo të politizohet, respektivisht që protesta ta humbë kuptimin”, tha Mushkolaj.

Deputeti Konjufca i hedh poshtë pohimet se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet t’i shfrytëzoj protestat studentore.

“Këta po kërkojnë heqjen e pushtetit prej universitetit, të kontrollit politik, duke filluar prej Këshillave të Universitetit, të cilat i kontrollon më shumë ministria e pushtetit e deri te emërimet politike të profesorëve, të cilët shantazhohen me vende pune. Pushteti duhet të largohet prej universitetit. Nuk është kërkesë e studentëve që një parti të shkoj, të ikë dhe të zëvendësohet me kontrollin e një partie tjetër”, theksoi ai.

Ndryshe, Sylejmani thekson se Grupi i Pavarur i Studentëve është i vetëdijshëm që ekzistojnë tendenca për degradimin e protestave të studentëve, por siç thotë ai, ky grup do të jetë i vëmendshëm që kjo të mos ndodhë.

“Ne e kemi nisur këtë protestë, si Grup i Pavarur i Studentëve, me kërkesën që të na bashkohen të gjitha organizatat tjera studentore, pavarësisht se jemi në dijeni të asaj që po thuaj se të gjitha organizatat studentore kanë një prapavijë politike. Ne kemi qenë shumë të vëmendshëm që kjo të mos degradojë".

"Ka pasur edhe protesta prej Parlamentit studentor, por edhe prej organizatave tjera që kanë prapavijë politike, aksione të ndryshme simbolike, të cilat në njëfarë forme duan t’i japin kahe politike. Mirëpo, përsëri po them që ne do të jemi vigjilent që të mos lejojmë këtë lloj degradimi të protestës”, tha Sylejmani.

Protesta e grupit të studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” tash e sa ditë është zhvilluar me kërkesën e studentëve për dorëheqje të rektorit Ibrahim Gashi.

Ata gjithashtu kanë kërkuar të nisin procedurat ligjore dhe të iniciohen hetime në lidhje me keqpërdorimet e deritashme në këtë institucion.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG