Ndërlidhjet

Arrestohet shefi i policisë serbe në veri


EULEX-i ka arrestuar në veri të Kosovës një zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, nën dyshimet për krime lufte dhe krime të pasluftës në Kosovë.

Një zëdhënës i EULEX-it tha se, Dragan Delibashiq u arrestua në fshatin Leshak të komunës së Leposaviqit.

Dragan Delibashiq, ishte emëruar nga qeveria e Serbisë pas luftës në Kosovë, në postin e shefit të policisë serbe, ndërsa drejtonte edhe grupin e njohur si “Rojat e urës”.

Veç tjerash dyshimet kundër tij lidhen edhe me ngjarjet e muajit shkurt të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës, kur dhjetë shqiptarë humbën jetën gjatë trazirave të dhunshme.

Dyshimet e ngritura ndaj tij janë të njëjta me ato në bazë të të cilave javën e kaluar u arrestua edhe politikani lokal serb në Mitrovicë, Oliver Ivanoviq, i cili po mbahet në paraburgim.

Gjykata e apelit në Prishtinë refuzoi të martën kërkesën e Oliver Ivanoviqit për t’u mbrojtur në liri.
XS
SM
MD
LG