Ndërlidhjet

logo-print

Ukë Rugova i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar


Pamje para shtëpisë së deputetit Ukë Rugova, në lagjen Velania, Prishtinë.

Pamje para shtëpisë së deputetit Ukë Rugova, në lagjen Velania, Prishtinë.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX ka arrestuar deputetin Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Arrestimi është bërë nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar. Përveç, Rugovës, nën të njëjtat dyshime janë arrestuar edhe 10 persona tjerë. Në njoftimin e EULEX-it për media, thuhet se personat e arrestuar dyshohen edhe për mashtrim, kundër Ambasadës italiane në Prishtinë. Prokuroria Speciale e Republikës së Koosvës dhe Ambasada italiane në Prishtinë, janë duke bashkëpunuar reciprocikisht në këto hetime që po vazhdojnë.

Zëdhënësi i misionit të EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka konfirmuar aksionin e bastisjeve që janë kryer të mërkurën nëpër disa lokacione në Kosovë, ku kanë banuar personat e dyshuar.

Në mesin e tyre, ishte edhe shtëpia e ish-presidentit Rugova, ku banon edhe i biri i tij, Ukë Rugova, deputet në Kuvendin e Kosovës.

"Sot në mëngjes ka filluar një operacion bastisjeje dhe arrestimi ndaj një grupi të pandehurish, të cilët janë të dyshuar të jenë përfshirë në një grup kriminal që dyshohen për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit. Operacioni është pjesë një hetim të përbashkët i Policisë së Kosovës dhe EULEX-it", ka thënë Krasniqi.

Avokati i Ukë Rugovës, në këtë rast, Bajram Tmava ka qenë i pranishëm gjatë operacionit të bastisjes që zhvilluan pjesëtarë të policisë së EULEX-it në shtëpinë e Rugovës, në lagjen “Velania” të Prishtinës.

Avokati Tmava ka konfirmuar fletarrestimin ndaj klientit të tij dhe ka folur për dyshimet që rëndojnë mbi Rugovën.

“Bëhet fjalë për vepër penale krim i organizuar që ndërlidhet edhe me disa vepra tjera, siç është keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit. Tash për tash, përveç urdhrit për bastisje dhe atij për arrest, informata tjera nuk kam”, ka thënë Tmava, duke konfirmuar edhe urdhër-arrestimin për Rugovën.

Ukë Rugova, drejton një subjekt politik me emrin “Lista dr.Ibrahim Rugova”, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Po nga ky subjekt politik, vitin e kaluar EULEX-i pati arrestuar edhe zëvendëskryeministrin Bujar Bukoshi, por të cilin më vonë gjykata e shpalli të pafajshëm.

Misioni i EULEX-it ka qenë mjaft aktiv 24 orët e fundit.

Të martën mbrëma, ky mision ka arrestuar edhe shefin e policisë serbe të emëruar nga Beogradi në veri të Kosovës, nën dyshimet për krime lufte dhe krime të pasluftës në Kosovë, Dragan Delibashiq.

Ai ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë pas luftës në Kosovë, në postin e shefit të policisë serbe, ndërsa drejtonte edhe grupin e njohur si “Rojat e urës”.

Veç tjerash, dyshimet kundër tij lidhen edhe me ngjarjet e muajit shkurt të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës, kur dhjetë shqiptarë humbën jetën gjatë trazirave të dhunshme.

Dyshimet e ngritura ndaj tij janë të njëjta me ato, në bazë të së cilave javën e kaluar u arrestua edhe politikani lokal serb në Mitrovicë, Oliver Ivanoviq, i cili po mbahet në paraburgim.

Një zëdhënëse e EULEX-it, Irina Gudeljeviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky mision po heton 95 raste të dyshuara për krime lufte, prej të cilave 61 janë në fazën preliminare kurse 34 në atë të hetimeve. Ndërkaq, lidhur me krimin e organizuar ajo ka thënë se EULEX-i po heton 41 raste.

Misioni i EULEX-it deri më tani ka goditur rastet, në të cilat janë përfshirë kryesisht personalitete e grupe të caktuara, të cilat, sipas vlerësimeve ndërkombëtare, institucionet e Kosovës nuk janë ende të afta apo të gatshme t’i trajtojnë.

Ndonëse ndodhet në fazën e ristrukturimit, ky mision besohet se do të ruajë edhe më tutje praninë e vet në Kosovë me prioritet luftimin e krimit të organizuar, pavarësisht tendencave të qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës që nga qershori ky mision të përmbyllë mandatin.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG