Ndërlidhjet

Edhe profesorët protestojnë me studentët


Protestat e studentëve të Universitetit të Publik “Hasan Prishtina”, kanë vazhduar edhe të mërkurën para Rektoratit të këtij universiteti.

Nën sloganin “Studentët e bashkuar”, katër organizatat studentore: Grupi i Pavarur i Studentëve, Klubi politik i studentëve, Grupi i studentëve të Ulqinit dhe grupi “Studim, kritikë, veprim”, kanë organizuar marshin prej disa qindra studentëve nga Qendra e studentëve, si dhe nga sheshi “Skënderbeu”, për t’u bashkuar te Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

Fitim Salihu, nga Klubi politik i studentëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se protesta e së mërkurës është mbarë qytetare dhe jo vetëm e studentëve, ndërkohë që kërkesat e këtyre të fundit nuk kanë ndryshuar.

“Shkarkimi i rektorit, suprimimi i Këshillit drejtues, fillimi i menjëhershëm i hetimeve dhe është shtuar edhe kundërshtimi për kushtet e mjerueshme në Qendrën e Studentëve, në konvikte. Ky sot, është marsh qytetar që e kanë organizuar studentët e Universitetit të Prishtinës”.

Në fakt, janë dy marshe, njëri është nisur nga konviktet, që ka qenë i studentëve, kurse tjetri është nisur nga sheshi ‘Skënderbeu’, që është i shoqërisë civile, artistëve, figurave publike dhe i gjithë qytetarëve. Jemi bashkuar këtu te Rektorati për ta treguar këmbëngulësinë dhe seriozitetin tonë, deri në realizimin e kërkesave tona”, ka thënë Salihu.

Protestës së studentëve u janë bashkuar edhe një numër i profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Në mesin e tyre ishte edhe Arben Hajrullahu, profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një numër profesorësh janë mbledhur para Rektoratit për t’u solidarizuar me studentët dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj instrumentalizimit dhe keqbërjes brenda Universitetit të Prishtinës.

Ai ka theksuar, gjithashtu, se ka pasur edhe tendenca të instrumentalizimit të vetë protestës së studentëve.

“Ka një numër të madh të profesorëve që solidarizohen dhe janë me studentët, për kërkesat e tyre legjitime që universiteti të mbështetet, universiteti të lirohet nga keqbërësit, nga manipuluesit. Ka pasur tendenca të shumta që kjo të keqpërdoret nga partitë politike, por ftesa është e qartë”.

“Kërkesat e studentëve, protesta e sotme, është protestë jopartiake, është protestë paqësore dhe e cila ngërthen kërkesa legjitime nga ana e studentëve, por edhe nga ana e ne profesorëve që jemi me studentë. Universiteti është i studentëve dhe për studentë”,
ka theksuar Hajrullahu.

Protestës së studentëve të mërkurën i janë bashkuar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Studentëve u është drejtuar Ilir Deda nga Instituti kosovar për kërkime dhe zhvillime të Politikave, KIPRED, i cili ka theksuar se i janë bashkuar protestës për ta mbështetur, siç e ka quajtur ai, kauzën e drejtë të studentëve.

Megjithatë, ai ka kritikuar praninë e madhe të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës pranë objektit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

“Jemi mbledhur sot që ta vazhdojmë përkrahjen e kauzës së drejtë të studentëve, të cilët e kërkojnë një universitet çfarë ky popull ka dashur ta bëjë qe 50 vjet. Beteja e juaj është e drejtë dhe ka për të fituar. Qytetarët janë në shërbimin e juaj për ta fituar këtë kauzë. Kur studentë kërkojnë ligj, jo plagjiatorë në universitet, atëherë nuk është pamje e mirë që ta shohësh policinë tonë para një rektorati të tillë”, është shprehur Deda.

Ndryshe, protesta e studentëve ka vazhduar e qetë, ndërkohë që organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të zhvillohet deri në orën 16 dhe do të jetë krejtësisht paqësore.

Ata që në fillim të protestës u kanë bërë thirrje protestuesve që t’u qëndrojnë në distancë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët po qëndrojnë para hyrjes së Rektoratit.
XS
SM
MD
LG