Ndërlidhjet

logo-print

Shuhet Vaçe Zela

  • RFE /RL

Vaçe Zela...

Vaçe Zela...

"Zëri i Artë i Shqipërisë", "Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare", "Gjigandja e Skenës Shqiptare", janë vetëm disa nga epitetet për këngëtaren shqiptare Vaçe Zela, e cila pas një sëmundjeje të gjatë nërroi jetë në mëngjesin e 6 shkurtit 2014 në moshën 75 vjeçare në një spital në Basel të Zvicrës, ku edhe jetonte.

Ajo u lind në Lushnje të Shqipërisë më 7 prill të vitit 1939.

Këngët e saj: "E dua mëmëdhenë", "Valsi i lumturisë", "Natën vonë", "Djaloshi dhe shiu" si dhe shumë të tjera, kanë bërë bujë dhe kanë përcjellë gjenerata të tëra të shqiptarëve në mbarë botën.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës muzikore në vitin 1992, pas 40 vjetësh karrierë muzikore.

Ajo ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më vonë në Radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot.

Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë.

Ajo dha një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Vaçe Zela është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”

Figura të shquara shqiptare, ndër vite e vlerësuan lartë këngëtaren.

Nexhmije Pagarusha, këngëtare e mirënjohur nga Kosova, tha se "Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se te Vaçe Zela".

"Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë", kishte thënë shkrimtari Dritëro Agolli për këngëtaren.

Kompozitori Aleksandër Peçi duke iu drejtuar këngëtares, shprehu dashuri të madhe ndaj Vaçe Zelës.

"E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli."

Për zonjën Zela, po ashtu u shkruan poezi dhe këngë të shumta nga adhuruesit e muzikës së saj.

Trupi i këngëtares së ndjerë arrin të premten në Shqipëri, ku do t'i kryhen edhe nderimet e fundit.

Përgatiti: Gresa Kraja

Trego komentet

XS
SM
MD
LG