Ndërlidhjet

Nuland përsëri në Ukrainë

  • RFE /RL

Kiev...

Kiev...

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, po e viziton Ukrainën, që është shenja më e re e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për demonstruesit pro-demokracisë.

Vizita e saj bëhet në periudhën, në të cilën Uashigntoni, më herët këtë javë, ka pranuar se ka biseduar me Bashkimin Evropian për ndihmën e mundshme financiare për Ukrainën.

Qeveria e Rusisë ka tërhequr vërejtjen se kredia prej 15 miliardë dollarësh, që ia ka ofruar Ukrainës, varet nga realizimi i përkushtimeve të mëhershme të presidentit Viktor Yanukovich, ndaj Moskës.

Kremlini kishte ofruar ndihmë financiare, pasi Yanukovichi e refuzoi marrëveshjen për lidhje më të afërta me Bashkimin Evropian, ndërsa ndërmori hapa konkretë për afrim me Rusinë.

Njëherësh, protestuesit opozitarë në Kiev thonë se ata janë vendosur afër Parlamentit të Ukrainës, duke i vazhduar kërkesat për ndryshime në Kushtetutën e Ukrainës.

Për më tepër se dy muaj, Ukraina është e përfshirë nga trazirat, meqë protestuesit kërkojnë edhe zgjedhje të parakohshme presidenciale.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, tha se “duhet të bëhet shumë më tepër punë” për ta zgjidhur konfrontimin ndërmjet autoriteteve dhe protestuesve në Ukrainë.

Ajo, gjatë qëndrimit të saj në Kiev, ka biseduar ndaras me presidentin Yanukovich dhe personalitetet opozitare.

Zonja Ashton ka thënë se BE-ja është e gatshme ta ndihmoj Ukrainën si në aspektin financiar ashtu me ekspertë, për ta përmirësuar zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe për ndryshime të mundshme kushtetuese.

Nuk ka pasur shumë biseda për këtë gjatë vizitës, lidhur me përbërjen e çfarëdo qeverie të re. Në kuptimin e ndihmës ekonomike, kjo nuk ka të bëjë vetëm me BE-në, dhe nuk ka të bëjë për porcione të mëdha të të hollave. Kjo ka të bëjë me një lloj të ndihmës ekonomike, që përfshinë ekspertizë, aftësi teknike, burime që mund të gjenden, roli i institucioneve ndërkombëtare, roli i vendeve anëtare të BE-së, ose i shteteve të tjera. Pra, kemi të bëjmë me atë se si ta tërheqim së bashku një pako ekonomike, që do të mundësoj plotësim të nevojave të qarta ekonomike të këtij vendi, në kontekstin e reformës ekonomike”, tha Catherine Ashton.

Ajo e ka përmendur edhe nevojën që ata që kanë kryer akte të dhunës të sillen para drejtësisë.

Linas Linkevicius, ministër i jashtëm i Lituanissë, që aktualisht e kryeson presidencën e Këshillit të BE-së, tha se Bashkimi Evropian duhet ta ketë parasysh situatën në Ukrainë, për të qenë më aktiv me shtetet e tjera, anëtare të programit të Partneritetit Lindor të BE-së.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se BE-ja e ka “nënvlerësuar” rolin e Rusisë dhe metodat që ajo i përdorë kundër ish-shteteve sovjetike, që synojnë afrim me Bashkimin Evropian.

Ministri Linkevicius tha se BE-ja, së bashku me Këshillin Evropian, OSBE-në, Kombet e Bashkuara, duhet t’i shqyrtojë të gjitha raportet për rrëmbimet, rrahjet dhe torturat e aktivistëve për Bashkimin Evropian në Ukrainë.

Në këtë kuadër ai konsideron se mund të imponohen sanksione kundër zyrtarëve kryesorë në Ukrainë, që mund të jenë përgjegjës për dhunën, që po vazhdon në këtë vend.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, duke folur në Bruksel, është pajtuar me ministrin Linkevicius, se Moska po ushtron presion ndaj Ukrainës dhe vendeve të tjera në programin e Partneritetit Lindor.

“Presioni rus në partnerët tanë lindorë është i papranueshëm. Fqinjët tanë të përbashkët duhet të jenë të lirë të flasin për vetvete se cilat asociacione politike dhe ekonomike ata duan t’i krijojnë. BE-ja e ka bërë të qartë se pret që Rusia t’i respektojë zgjidhjet e partnerëve tanë dhe që të mos ndërhyjë në nënshkrimin e marrëveshjeve për asociim me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, këtë vit”, tha Fyle.

Ai tha se Rusia ka miratuar masa për mbrojtjen e tregut, që i kanë dëmtuar bizneset e Bashkimit Evropian. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG