Ndërlidhjet

logo-print

Ndërmarrjet kosovare kanë nevojë për ndihmë financiare


Ilustrim

Ilustrim

Rolin kryesor në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, rrjedhimisht në hapjen e vendeve të reja të punës e ka sektori privat, konkretisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.

Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga autoritete kompetente që të ndihmohet ky sektor, përderisa këta të fundit vazhdimisht kanë pohuar angazhimin e tyre qoftë financiar apo ligjor.

Naim Gashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, konsideron se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë kanë nevoja financiare jashtëzakonisht të mëdha, për shkak se tregu i industrisë bankare është i shtrenjtë.

“Edhe pse Kosova ka një treg relativisht të vogël të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, megjithatë ata janë kontribuuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Mirëpo kanë një rol të rëndësishëm edhe në mbushjen e arkës se shtetit për mes taksave të tyre”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Me qëllim të mbështetjes financiare të këtyre ndërmarrjeve, të mërkurën është nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e katër milionë eurove.

Marrëveshja është nënshkruar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila ka ndarë një milion euro, Bashkimit Evropian, që ka ndarë 3 milionë euro, kurse Organizata Ndërkombëtare për Migrim do të jetë zbatuese e projektit.

Ky projekt ka për qëllim stimulimin e prodhimit vendor, stimulimin e eksportit dhe krijimin e vendeve të punës, tha për Radion Evropa e Lirë, Berndard Nikaj, ushtrues detyre i ministrit të Tregtisë e Industrisë.

“Këto grante do t'i japin një mbështetje të re bizneseve të vogla dhe të mesme, posaçërisht sa i përket qasjes në financa. Ne dimë se qasja e financave është një ndër sfidat më të cilat ballafaqohen të gjitha bizneset në Kosovë. Besojmë se për mes këtij projekti dhe për mes kësaj iniciative ne ta zbusim këtë vështirësi sado pak. Posaçërisht sa i përket bizneseve që kanë për qëllim të eksportojnë prodhimet e tyre”, tha Nikaj.

Përmes këtij projekti, bizneseve të vogla do t’u ofrohen grante në vlerë prej 6 mijë deri në 25 mijë euro, kurse, bizneseve të mesme dhe të mëdha nga 60 deri në 200 mijë euro.

Fizibiliteti dhe kualiteti i propozimeve dhe i projekteve që kanë ndërmarrjet, do të mbetet kriteri kryesor.

Projekti për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe mesme është i mirëseardhur, por jo i mjaftueshëm, konsideron Naim Gashi, duke shtuar se edhe ekzekutivi është dashur të ndajë një fond të veçantë për këtë sektor.

“Unë mendoj se ndërmarrjet që duhet të jenë prioritete për t'u mbështetur financiarisht edhe nga Bashkimi Evropian por edhe Ministria do të ishin ndërmarrjet që gjenerojnë vende të reja të punës, dhe ndërmarrjet që janë në sektorin e prodhimit, sidomos ndërmarrjet e vogla shërbyese dhe ndërmarrjet prodhuese në sektorin e bujqësisë".

"Këto investime për veç se do të ndikojnë në luftimin papunësisë në Kosovë janë shumë domethënëse edhe për plotësimin e tregut të Kosovës me produkte vendore, sidomos produkte ushqimore. Dhe më zhvillimin e tregut më shërbime i cili është në fillet e zhvillimit të saj”, shprehet Gashi.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, kanë thënë se ky është vetëm projekti i parë për këtë vit në mbështetjen e ndërmarrjeve vendore.

Ata paralajmërojnë se në ditët në vijim do të shpalosen edhe projektet tjera që do adresojnë sfidat tjera me të cilat ballafaqohet sektori privat.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG