Ndërlidhjet

Boshnjakët e "përbashkuar" rreth flamurit në Sochi

  • RFE /RL

Përfaqësuesja e Bosnjes në Lojërat Olimpike në Sochi

Përfaqësuesja e Bosnjes në Lojërat Olimpike në Sochi

Olimpiadat, tradicionalisht, janë një periudhë kur kombi mblidhet bashkë nën flamurin kombëtar.

Në fund të janarit, Komiteti Olimpik i Bosnjës dhe Hercegovinës, ka zgjedhur skijatoren Zana Novakoviq, një serbe e qytetit Pale në Republikën Serbe të Bosnjës, që të mbajë flamurin e Bosnjës gjatë hapjes së Lojërave Olimpike në Sochi, më 7 shkurt.

"Dua të përshëndes të gjithë, dhe t’ju falënderoj që keni ardhur për të na përkrahur ne si ekip olimpik. Unë jam Zana Novakoviq, përfaqësuese e Bosnjës dhe Hercegovinës në Lojërat Olimpike në Sochi. Do të garoj në sllallom dhe super-sllallom. Nëse i dal zot trajnimit, shpresoj se do të kem rezultate të mira në Sochi”, ka thënë Novakoviq.

Përzgjedhja e saj kishte krijuar një tronditje në Bosnje, pasi disa mendonin se Igor Laikert, i federatës boshnjako-kroate, duhej të kishte nderin e mbajtjes së flamurit.

Debati ishte në frymën e zakonshme të përplasjeve në këtë shtet, i cili shpalli pavarësinë në vitin 1992 në prag të shpërndarjes së ish-Jugosllavisë, për çfarë ka përjetuar një luftë të përgjakshme, që vuri përballë grupe kryesore etnike dhe fetare - serbët ortodoksë, kroatët katolikë dhe boshnjakët myslimanë - kundër njëra-tjetrës në një orgji dhune.

Qyteti i lindjes së Novakoviqit, Pale, ishte kryeqyteti i serbëve të Bosnjës gjatë luftës, prej nga është udhëhequr rrethimi i Sarajevës.

Marija Maja Jurçenkos, nga qyteti verior Tuzlla, nuk i bën aq përshtypje se cili atletë do ta bartë flamurin e Bosnjës.

"Nuk ka shumë lidhje. Nuk mendoj se ka rëndësi nëse dikush është nga kjo apo ajo anë e Bosnjës. Ata përfaqësojnë Bosnjën dhe Hercegovinën – kështu jam edukuar unë. Dua të them se nëna ime është nga Kroacia, babai nga Vojvodina. Gjyshërit janë nga Ukraina, kurse unë kam lindur në Bosnje”, thotë ajo.

Adis Obad, një 42-vjeçar, trajner i futbollit në qytetin Konjiq, që gjendet rreth 60 kilometra në jug të Sarajevës, ka po të njëjtin qëndrim, kur pyetet se a do të bëjë tifo për atletët boshnjakë në Sochi.

"Sigurisht se do të bëj tifo. Për të gjithë, 100 për qind pa dallim. Ka vetëm një Bosnje e Hercegovinë. Nuk më interesojnë emrat e tyre, apo çka do tjetër. Me rëndësi është që ata të ngadhënjejnë, dhe të përfaqësojnë Bosnjën në gara të këtilla”, pohon ai.

Por, nuk është edhe aq e vështirë që të gjesh qëndrime më pak patriotike.
Në tetor të vitit 2013, përfaqësuesja boshnjake në futboll është kualifikuar për herë të parë për Kampionatin Botëror.

Në Sarajevë dhe pjesë të tjera të shtetit, kanë shpërthyer festimet, mirëpo lajmi është mirëpritur me indiferencë në Banja Llukë, që është qyteti kryesor i Republikës Srpskas.

Një portal sarajevas, source.ba, ka biseduar me disa simpatizues atje kur doli lajmi.

"Ne nuk e përcjellim aq shumë Bosnjën. Më shumë jemi për Serbinë. Do të ishte më mirë sikur Serbia do të kualifikohej”, ka thënë një tifoz nga Banja Lluka.

"Nuk ndiej asgjë për Bosnjën, por vetëm për Republikën Srpska”, ka thënë një tifoz tjetër.

Lojërat në Sochi, po zhvillohen 30 vjet pas atyre të vitit 1984 në Sarajevë, të cilat atëbotë, ishin vlerësuar gjithandej globit si një shembull i bashkëjetesës paqësore shumëkombëshe.

Flamurin jugosllav e kishte bartur më 8 shkurt të atij viti, në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, skiatori slloven Jure Franko, i cili edhe kishte fituar medaljen e parë të Lojërave Olimpike dimërore, duke dal i dyti në super-sllallom.

Lubisha Zeçeviq, një profesor nga Sarajeva, ishte ndër organizatorët e lojërave të vitit 1984.

"Unë vazhdoj të them se Lojërat Olimpike në Sarajevë ishin një hap para të ardhmes. Por, disa njerëz nuk e donin të ardhmen. Dhe tani, e gjitha që ka mbetur është që të kujtojmë të kaluarën. Mirëpo, lojërat olimpike ishin një proces integrimi. Shpresoj se do të rimarrin atë ndjenjë për integrim”, ka thënë ai.

Hajdrudin Somun, që ishte një ndër zyrtarët e lojërave në Sarajevë, vlerëson me keqardhje se Lojërat Olimpike kanë sjell Sarajevën në qendër të vëmendjes prej vitit 1914, kur princi austro-hungarez Franz Ferdinand u vra në këtë qytet, për të ndezur kështu ngjarjet që do të çonin në Luftën e Parë Botërore.

Por, është e paqartë nëse Bosnja është ende e gatshme që të mirëpresë ndjenjën e unitetit që kishte zotëruar në vitin 1984.

I pyetur nëse Sarajeva duhet të jetë mikpritëse prapë e Olimpiadës, gazetari Ahmed Buriq shprehet skeptik.

"Kjo është njëjtë, sikur të më pyesni, nëse mendoj se Kampionati Botëror në Futboll më 2014, duhet të organizohet në Siri! Po them se, unë e përkrahi këtë ide, por nuk jam i sigurt nëse ne – marr parasysh se si jemi tani – mund të përsërisim atë që ishte më 1984. Shumica e njerëzve do të thonë se e përkrahin këtë ide, por nuk mendoj se kjo ka ndonjë domethënie”, shpjegon ai.

Bedrana Kalletoviq, një gazetare nga Tuzla pajtohet me këtë konstatim:

"Nuk mendoj se janë pjekur mjaftueshëm kushtet në shtetin tonë, për një gjë të tillë – dhe është fakt se vetvetes ia kemi bërë këtë.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG