Ndërlidhjet

logo-print

Bosnjë, protesta dhe përleshje në disa qytete

  • RFE /RL

Eskalojnë protestat civile në Bosnje.

Demonstrata në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, është shndërruar në dhunë, ku protestuesit kanë hyrë në ndërtesën e presidencës së Bosnjes dhe Hercegovinës, dhe i kanë vënë asaj flakën.

Protestat në Tuzlla, ndërkaq kanë shpërthyer më herët, ku persona të panjohur i kanë vënë flakën ndërtesës së qeverisë lokale.

Korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në Bosnje, raportojnë se trazira të tilla, po ngjajnë edhe në qytetet e tjera në këtë shtet, ku cak janë kryesisht ndërtesat dhe institucionet kantonale.

Kryeministri i kantonit të Tuzllës, Sead Çausheviq, ka dhënë dorëheqje sot, tri ditë pasi nisën protestat e punëtorëve të ish-ndërmarrjeve të bankrotuara shoqërore.

Në Sarajevë, ndërkaq policia nuk ka arritur që t’iu ndal hovin mbi 1,000 protestuesve, të cilët fillimisht ishin mbledhur para ndërtesës së kantonit të Sarajevës.

Në përpjekje për të shpërndarë demonstratën, policia ka përdorur edhe plumba gome, ç’gjë e ka irrituar masën dhe ka shkaktuar përleshje ndërmjet dy grupeve.

Sipas raporteve të para nga autoritetet shëndetësore në Sarajevë, rreth 50 civilë janë lënduar në këto përleshje.

Raportohet edhe se ka të lënduar nga radhët e forcave të rendit, por zyrtarisht thuhet se tre prej tyre janë të lënduar.

Në Sarajevë i është vënë flaka ndërtesës së Kantonit të Sarajevës, ku është e vendosur komuna e Sarajevës së Re.

Ky objekt është i ngjitur me ndërtesën e Presidencës së shtetit.

Situata në Tuzlla, pas një qetësie disaorëshe, ka shpërthyer sërish në orët e mbrëmjes, pasi kanë mbaruar punën zjarrfikësit në ndërtesën e kantonit të Tuzllës.

Paradite autoritetet spitalore në Tuzlla, kanë thënë se mbi 130 njerëzve pjesëmarrës në protesta, u është ofruar ndihmë mjekësore.

Në orët e mbrëmjes, kolegët në terren, raportojnë se i është vënë flaka edhe ndërtesës së komunës së Tuzllës, dhe se ka shumë të lënduar.

Demonstruesit tani kanë mësyrë ndërtesën e Gjykatës dhe Prokurorisë të Kantonit të Tuzllës.

Pak më herët, ata i kanë vendosur ultimatum policisë që të dalin nga ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe t’i dorëzojnë armët, përndryshe do ta demolojnë edhe këtë ndërtesë.

Kjo është dita e tretë e protestave në Tuzlla, e cila nisi nga mllefi i ish-punëtorëve të ndërmarrjeve shtetërore, të cilët nuk kanë marrë paga me vjet të tëra.

Ata akuzojnë autoritetet lokale, se kanë bankrotuar me qëllim këto ndërmarrje për t’i shitur më lirë gjatë procesit të privatizimit, të cilin ata thonë se është i korruptuar.

Bosnja po përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe sociale tash e 20 vjet, prej se është pavarësuar.(f.aliu)

XS
SM
MD
LG