Ndërlidhjet

Veliaj: Arsimi profesional, dritë jeshile për uljen e papunësisë në Shqipëri


 Erion Veliaj

Erion Veliaj

Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, ministri i Mirëqenies Sociale e Rinisë, Erion Veliaj, shpalos strategjinë e Qeverisë së Shqipërisë për punësimin.

RADIO EVROPA E LIRË
Si është situata e punësimit në Shqipëri?

ERION VELIAJ
Nuk kemi trashëguar një situatë pozitive për punësimin për disa arsye; së pari shumë shpejt e gjejmë justifikimin te kriza botërore e vitit 2009. Por, kjo nuk është krejtësisht e vërtetë, pasi kriza e vitit 2009 preku kryesisht vendet e ndërlidhura me ekonominë botërore që luajnë para në bursë, vende që kanë volume të mëdha tregtie dhe kredish, ndërkohë që Shqipëria i ka pasur shumë modest këta tregues dhe bursë nuk ka.

Efekte e krizës u ndjenë në zbritjen drastike të remitencave. Gjykohet që remitencat nga Greqia në Shqipëri të kenë rënë me 60-70 për qind, dhe 50 për qind nga Italia. Volumi ekonomik i familjeve shqiptare që plotësohen nga të ardhurat e emigrantëve tani është mungesë, dhe kjo ka rezultuar jo vetëm në rritje të papunësisë, por edhe në rritje të njerëzve që kërkojnë ndihmë ekonomike.

Përballë kësaj situate, jemi përpjekur së pari të ndihmojmë ata që janë në nevojë, e që janë në ndihmë ekonomike. Së dyti, të shohim situatën e atyre që janë në ndihmë ekonomike, por iu bëhet një ofertë për punë.

Në momentin që iu bëhet një ofertë për punë, ata nuk mund të vazhdojnë me ndihmë ekonomike, sepse ky është një shtet që financat i ka realisht modeste, dhe nuk mund të vazhdojë me skema solidariteti të denja për vendet skandinave, ku dhe taksat janë 50-60 për qind. Ndaj, në këtë kuptim kemi stabilizuar ndihmën ekonomike duke paguar vonesat, e duke pastruar abuzuesit.

Cila është situata sot? Situata sot është që vendet e punës ku ka një tepri profesionale, siç janë profesionet jurist, ekonomist, shkenca sociale, janë thuajse 0.

Në Shqipëri diplomohen për juridik rreth 2 mijë persona në vit, tregu ka nevojë për 180. Kjo do të thotë që më shumë se 90 për qind e këtyre studentëve, praktikisht kanë humbur kohë.

Po të shohim faqen e punësimit puna.gov.al, do të vërejmë që 9 në 10 postime janë për shkolla profesionale, kërkohen inxhinierë, teknikë, kërkohen njerëz që dinë të punojnë në kompjuter, pra nëse dikush duhet të vendosë për arsimin e tij sot, duhet të vendosë për arsimin profesional, ose ndryshe do të humbasë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni premtuar hapjen e 300 mijë vendeve të punës gjatë katër viteve të ardhshme. Si do ta realizoni këtë premtim?

ERION VELIAJ
Qeveria mund të lehtësojë hapjen e vendeve të punës, por qeveria nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh, jo në kapitalizëm.

Unë e shikoj rolin e qeverisë në heqjen e gjithë barrierave për hapjen e vendeve të punës, në ofrimin e lehtësive, në simulimin financiar të kompanive. Arsyeja pse kemi trefishuar fondin e nxitjes së punësimit është që t’i shpërblejmë financiarisht ato kompani që punësojnë shumë njerëz. Kjo mund të arrihet duke iu paguar sigurimet shoqërore, apo 3,4 apo 6 rrogat e para, pra duke gjetur mekanizmin që kompanive t’u bëhet e lehtë punëdhënia dhe punëmarrja.

Së dyti, kemi nisur një ofensivë në Itali, Greqi e Turqi, duke përfshirë edhe Parlamentin në një rast të paprecedent, ku deputetë drejtojnë grupe për tërheqjen e investitorëve, pra është një proces agresiv marketingu i Shqipërisë, në këto tre vende që ne gjykojmë se ka më pak paragjykime për shqiptarët, dhe janë më të prirë të bëjnë biznes me Shqipërinë.

Së fundi gjykoj, se riorientimi i arsimit drejt arsimit profesional, është një mënyrë se si jo vetëm i japim mesazhe publikut, por i japim mesazhe edhe tregut.

Për një pjesë të madhe të punëve, ne nuk kemi njerëz të kualifikuar sot, jemi detyruar shpeshherë t’u themi kompanive që nuk kemi krahun e punës që ata presin, pra roli i shtetit në këtë sens, është që të përgatisë një klasë të re të diplomuarish, të cilët dinë profesione, dinë zanate.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas specialistëve të çështjeve të punësimit, zyrat e punës, deri më tani kanë qenë thuajse inekzistente. Ndërkohë, dhe nga pikëpamja statistikore, numri i të papunëve nuk është i saktë. Çfarë do të bëni që të dimë se sa është papunësia reale në vend?

ERION VELIAJ
Specialistët kanë të drejtë, sidomos tetë vjetët e fundit, çështja e punësimit ka qenë një fushë krejtësisht joserioze në disa kuptime.

Zyrat e punës kanë qenë në ambiente jo publike, kryesisht zyra për të marrë një vërtetim papunësie, e më pas për të marrë ndihmë ekonomike, pra për të marrë një burokraci të lëmoshës se sa një ofertë të mundësive.

Në këtë sens, duke qenë se e kemi të rëndësishëm çështjen e punësimit, po i çojmë edhe në ambiente qendrore të gjitha zyrat e punës, së pari për t’u gjetur kollaj, së dyti për t’i trajtuar në mënyrë dinjitoze ata që ofrohen e kërkojnë punë, e së treti të jenë eficentë, pra të kenë një rezultat konkret.

Gjithashtu, kemi futur edhe disa kritere të tjera; nëse ofrohet një vend pune dhe refuzon ta marrësh atë vend pune, atëherë nuk je më në ndihmë ekonomike dhe ne refuzojmë të lëshojmë vërtetime për ndihmë ekonomike për atë që nuk merr vendin e punës që i ofrohet. Unë e kuptoj që disa punë nuk janë punët ideale, por unë besoj që një punë është më mirë se hiç punë.

Ne kemi pasur një problem të madh se si funksionoi Instati: flitej për rritje dyshifrore që kurrë nuk prodhoi punësim.

Ky është viti i parë ku do të testojmë nga ky janar deri në fund të vitit statistikat vendore edhe për çështje të punësimit, edhe për çështje të varfërisë, për të kuptuar realisht se si janë këto probleme.

Po mundohemi që zyrat e punës t’i bëjmë rentabël. Kërkesa për çdo zyrë pune është që çdo tremujor të ketë një bilanc, ku të shohim rezultatet e punës së tyre.
XS
SM
MD
LG