Ndërlidhjet

Ndotja që shkakton vdekje


Ndotja nga termocentralet
Ndotja nga termocentralet
Kosova renditet në pozitë jo të mirë për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së mjedisit. Një realitet i tillë e rendit Kosovën në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Mbrojtja ndaj ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës, nuk është në nivel të duhur, thonë njohës të kësaj fushe.

Ekspozimi i popullatës ndaj ndotjes mjedisore, po ndikon edhe në shëndetin e përgjithshëm të popullsisë.

Në raportin për gjendjen e mjedisit të vitit 2011- 2012, të realizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thuhet se numri më i madh i të sëmurëve të sistemit respirator, është indikator i ndotjes së ajrit.

Në kuadër të sëmundjeve që ndërlidhen me mjedisin dhe faktorët mjedisorë, numri më i madh i rasteve është regjistruar me sëmundje të sistemit të frymëmarrjes me 663 353 raste në vit ose 31.5 për qind e numrit të përgjithshëm të të sëmurëve.

Shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit janë emetimet e pluhurit të imtë, përqindja më e madhe e të cilit vjen nga Termocentralet e KEK-ut. Pastaj, “Ferronikeli”, transporti, “Trepça”, Kishnica, Artana dhe minierat e tjera.

Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe planifikimit hapësinor, pranon se cilësia e ajrit nuk është në nivel të duhur. Por, megjithatë, sipas tij, ka përmirësime në këtë aspekt.

“Fatkeqësisht, Kosova nuk po investon në parandalim të ndotjes, por në sanim. Dhe, të gjitha këto aspekte rrjedhin nga moskujdesi qysh në fillim. Me këtë nënkuptojmë që në secilin sektor të mjedisit, qoftë të ujërave, nuk kemi trajtim të ujërave të zeza; qoftë të mbeturinave, mbi 50 për qind të mbeturinave nuk grumbullohen fare po shpërndahen gjithandej, pa kontroll. Nuk paguhen me rregull. Pastaj kemi ndotjen e ajrit nga makinat, nga format e ngrohjes së qytetarit tonë”, thotë Morina.

Kosova është kritikuar në një raport të vitit 2010 nga Banka Botërore për degradim të mjedisit. Analiza shqyrton gjendjen epidemiologjike të popullatës që i ekspozohet ndotjes mjedisore dhe rritjes së rrezikut shëndetësor.

Ndotja e ajrit llogaritet se shkakton 835 vdekje të parakohshme, 310 raste të reja të bronkitit kronik, 600 shtrirje në spital dhe 11.600 vizita në emergjencë në çdo vit, thuhet në raport.

Por, Morina konsideron se këto të dhëna mund të jenë zvogëluar për shkak të investimeve të realizuara në industritë që ndotin ambientin.

Në anën tjetër, Behxhet Mustafa, profesor në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, njëherësh kryetar i Shoqatës së Ekologëve të Kosovës, thotë se Kosova është larg standardeve të Bashkimit Evropian për shumë çështje mjedisore.

Ai thekson se nga ndotja, janë të atakuar të gjitha komponentët e mjedisit si ajri, uji, toka dhe biodiversiteti.

Kosova është një ndër vendet më të vogla në rajon dhe Evropë me sipërfaqe, thotë Mustafa, por me dendësi të popullsisë ndër më të mëdhatë në Evropë.

Gjithashtu, Kosova ka përqendrim të sistemeve industriale në një hapësirë shumë të ngushtë në një gjatësi prej rreth 100 km duke filluar nga pjesa veriore me “Trepçën”, në pjesën qendrore me KEK-un, Minierën e Artanës e Ferronikelin.

Dhe, ka një numër të automjetesh, mbi 200 mijë sosh, shumë prej të cilave lirojnë ndotje enorme për shkak të vjetërsisë.

Për këtë, profesori Mustafa konsideron se shëndeti i popullatës është jashtëzakonisht i rrezikuar.

“Po t’u referoheni statistikave të sëmundjeve të ndryshme, si rezultat i së cilave kemi edhe vdekjen e shumë personave nga popullata jonë, qoftë nga sistemi i organeve të frymëmarrjes, qoftë nga sëmundjet tjera kanceroze, kjo tregon më së miri për gjendjen alarmante të ndotjes së ajrit”.

“Ne duhet të dimë se kemi një nga burimet më të mëdha ndotëse në Kosovë dhe rajon në përgjithësi, Termocentralet”,
vlerëson Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Por, Ilir Morina, thotë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, krahas hartimit të legjislacionit mjedisor, i ka kushtuar kujdes të veçantë edhe përafrimit të legjislaturës kombëtare mjedisore me atë evropiane.

Gjatë viteve 2010-2012, një pjesë të investimeve mjedisore janë orientuar në rehabilitimin disa deponive dhe mbylljen e deponive të vjetra të mbeturinave komunale dhe industriale.

Monitorimi i cilësisë së ajrit në Kosovë realizohet nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes Institutit Hidrometeorologjik. Edhe disa operatorë ekonomikë siç janë KEK-u dhe Feronikeli bëjnë monitorimin në mënyrë vetjake të cilësisë së ajrit.
XS
SM
MD
LG