Ndërlidhjet

SHBA: Ish-zyrtari i UNMIK-ut fiton betejën


Ilustrim

Ilustrim

Një fushatë e udhëhequr nga ish-zyrtari anti-korrupsion i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, James Wasserstrom, mund t’u kushtojë Kombeve të Bashkuara qindra miliona dollarë, nëse nuk u përmbahen “praktikave më të mira” për mbrojtjen e të punësuarave, të cilët raportojnë për keqbërje, raporton Associated Press.

Një ligji i nënshkruar më 17 janar nga presidenti amerikan, Barack Obama, përmban nenin, me të cilin automatikisht nuk paguhen 15 për qind të kontributit të Shteteve të Bashkuara për Kombet e Bashkuara dhe për çfarëdo agjenci të saj, derisa sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, të certifikojë se sjellja ndaj të punësuarve, që në disa raste zbulojnë informacione të padëshiruara, t’i plotësojë pesë “praktikat më të mira”.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Haq, tha mbrëmë vonë se OKB-ja do ta ketë parasysh vendimin amerikan, ndërsa Kombet e Bashkuara “do të vazhdojnë t’i zbatojnë politikat për mbrojtje” të personave të tillë nëpërmjet sistemit të OKB-së.

James Wasserstrom, shtetas amerikan, që i ka akuzuar kolegët e tij të lartë për hakmarrje pasi ai kishte shprehur dyshime për korrupsion në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në vitin 2007, në një intervistë i ka thënë agjencisë Associated Press se legjislacioni i ri është “hap madhor në drejtim të drejtë për të bërë presion ndaj Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha agjencive të saj, që t’i pastrojnë veprimet e tyre kur kanë të bëjnë me korrupsion të brendshëm”.

Ai ka theksuar se “kjo nuk është çështje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara”, por “çështje që i prek të gjithë donatorët kryesorë dhe ata duhet të kërkojnë reforma të menjëhershme në OKB për luftimin e vjedhjes, shpenzimeve të kota dhe keqpërdorimit”.

James Wasserstrom, ish-oficer udhëheqës i luftës kundër korrupsionit në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), e kishte udhëhequr një fushatë për ndryshim të legjislacionit në Shtetet e Bashkuara, që ka të bëjë me kontributin për Kombet e Bashkuara.

Një tribunal i mospajtimeve në Kombet e Bashkuara ia ka njohur të drejtën zotit Wasserstrom për dëmshpërblim prej 65 mijë dollarësh amerikanë, duke konkluduar se ai ishte ballafaquar me “trajtim tërësisht të papranueshëm” dhe me veprime të “tmerrshme”, që ishin shkelje të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara janë ankuar kundër këtij vendimi.

Por, edhe James Wasserstrom është ankuar, duke konsideruar se dëmshpërblimi është i vogël.

Kërkesa për “praktikat më të mira” është vendosur në vitin 2012, por deri tash sekretari i Shtetit kishte qenë i heshtur dhe nuk kishte pasur mbajtje të fondeve të Shteteve të Bashkuara për kontribut në OKB.

Shtetet e Bashkuara i paguajnë 22 për qind të buxhetit të rregullt të Kombeve të Bashkuara, që për vitin 2014 – 2015, është 5.53 miliardë dollarë amerikanë.

Po ashtu, paguhen qindra miliona dollarë për buxhetet e ndara, me të cilat financohen operacionet paqeruajtëse të OKB-së dhe puna e agjencive të Kombeve të Bashkuara, që merren me fëmijë, refugjatë, ushqim, agrikulturë, dhe çështje të tjera globale.

Wasserstrom ka thënë se me ndihmën e Projektit për Përgjegjësi Qeveritare, që është një organizatë me seli në Uashington, ai arriti të depërtojë në Kongresin amerikan, për të biseduar me përfaqësuesit nga të dy palët dhe se ata e “kishin pranuar atë”.

Dylan Blaylock, zëdhënës i Projektit për Përgjegjësi Qeveritare tha se “problemet me involvimin e korrupsionit në Kombet e Bashkuara mbeten të gjëra dhe kjo kërkesë e re do të ndihmojë për mbrojtjen e personave, siç është James Wasserstrom, që thjesht përpiqen t’i paraqesin keqbërjet, në mënyrë që ato të përmirësohen”.

Sipas legjislacionit, Kombet e Bashkuara duhet t’i mbrojnë nga hakmarrja ata që flasin kundër keqbërjeve, duhet të lejojnë qasje në tribunalet e pavarura, përfshirë arbitrazhin e jashtëm, dhe të sigurojnë kompensim financiar dhe ripërtëritje të reputacionit për hakmarrjen e dëshmuar.

Gjithashtu, duhet të zbatohen praktikat më të mira në sasinë e dëshmive, që shfrytëzohen për ta dëshmuar hakmarrjen dhe sa gjatë një punëtor i OKB-së duhet ta sfidojë hakmarrjen, shkruan AP.

Në politikën e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen kundër hakmarrjes, që ishte bërë fuqiplote në janar të vitit 2006, pos tjerash thuhet se “Kombet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sigurimin se politika e vet i reflekton praktikat më të mira”.

Në të përfshihet edhe deklarata se një shqyrtim i pavarur i politikës së OKB-së dhe implementimit të saj nga një gjyqtar ndërkombëtar, aktualisht po rishqyrtohet nga OKB-ja “me pikëpamje për t’i identifikuar mënyrat për forcimin e mëtejshëm të përkushtimit të Kombeve të Bashkuara për t’i mbrojtur ata që shprehen kundër keqbërjeve”, shkruan në fund agjencia Associated Press nga Nju Jorku.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG