Ndërlidhjet

Studentët pezullojnë përkohësisht protestat


Rektorati i UP-së (Foto nga arkivi)

Rektorati i UP-së (Foto nga arkivi)

Organizatat studentore dhe nismat tjera joqeveritare të përfshira kanë pezulluar përkohësisht organizimin e protestave. Vendimi i tyre ka pasuar dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi, si kërkesë kryesore.

Por, tani studentët kërkojnë që të ndryshohet statuti i Universitetit të Prishtinës, me theks të veçantë në shuarjen e Këshillit Drejtues të UP-së, si dhe të bëhet verifikimi i të gjitha thirrjeve akademike dhe doktoratave.

Një përfaqësues i organizatave studentore, Durim Jasharaj, ka thënë gjatë një konference të mbajtur para ndërtesës së Rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”, se tani pas dorëheqjes së rektorit, Kuvendi duhet të vazhdojë me rekomandimet që të ndryshohet edhe statuti i Universitetit, në mënyrë që të pushojë së ekzistuari edhe Këshilli Drejtues i këtij institucioni.

Sipas Jasharajt, ky këshill është politik dhe se Universiteti i Prishtinës nuk ka nevojë për të.

“Ne vazhdojmë me kërkesën tonë për heqjen e këshillit Drejtues. Për suprimimin e këtij organi, i cili është anti-demokratik, e i mbivendosur Senatit. Ne kërkojmë që demokracia dhe vendimmarrja t’ju kthehet studentëve, profesorëve dhe gjithë shoqërisë dhe jo një Këshilli, i cili ka nëntë persona dhe vendos për të gjitha çështjet më të rëndësishme të Universitetit”, ka thënë Jasharaj.

Të premten, pas protestave që eskaluan edhe në përplasje ndërmjet studentëve dhe policisë, ishte paralajmëruar se një tubim protestues edhe më masiv do të organizohej të hënën.

Megjithatë, pas dorëheqjes së Gashit, studentët tani kanë vendosur ta pezullojnë përkohësisht këtë protestë.

Krahas studentëve, edhe disa organizata joqeveritare u kanë dalë atyre në mbështetje.

Avni Zogiani nga organizata “Çohu” ka thënë se protestat mbeten opsion dhe u ka ofruar studentëve mbështetje për hapat e mëtutjeshëm.

“As dorëheqja e rektorit, por as ndryshimet eventuale nuk bëhen me vullnetin e mirë të tyre, sepse nuk ekziston vullneti i mirë i njerëzve të Universitetit e as i njerëzve të pushtetit. Prandaj, jemi të bindur që protesta dhe presioni publik është i domosdoshëm duke qenë se është e pamundur të presim nga keqbërësit t’i luftojnë të këqijat në një institucion”, ka theksuar Zogiani.

Që nga publikimi i shkrimeve për gradime dhe thirrjeve akademike të falsifikuara në Universitetin e Prishtinës, dy javë më parë, një grup studentësh i përkrahur edhe nga organizata joqeveritare, por edhe subjekte opozitare, kërkuan dorëheqjen e rektorit dhe verifikimin e këtyre dyshimeve.

Të shtunën mbrëma, rektori Ibrahim Gashi konfirmoi dorëheqjen e tij, ndërkaq mbetet tani të shihet se a do të ketë lëshime tjera në raport me kërkesat e studentëve, që të ndryshojë statuti dhe të shuhet Këshilli Drejtues i UP-së.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG