Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Platforma e shqiptarëve, vështirë e realizueshme


Shkup (Foto nga arkivi)

Shkup (Foto nga arkivi)

Bashkëpunimi ndërmjet partive shqiptare për çështjet që janë në interes të popullatës dhe që kërkojnë zgjidhje të përhershme, është i mirëseardhur, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Komentet e tyre vijnë pas propozimit të një ditë më parë të PDSH-së, për hartimin e një platforme të përbashkët me BDI-në, e cila për prioritet do të kishte çështjen e integrimit, zyrtarizimin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e vendit, ndarjen e proporcionale të buxhetit dhe zbatimin e gjithanshëm të parimit të Badenterit.

Propozimi i kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi, erdhi në kohën kur gjithnjë e më i qartë po bëhet refuzimi i kërkesës së BDI-së nga ana e VMRO DPMNE-së, për një kandidat të përbashkët për president shtet.

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk është përgjigjur në formë të prerë rreth kësaj kërkese të BDI-së, por fakti që zyrtarë të saj deklaruan se VMRO-ja kandidatin e saj do të zgjedhë në konventën partiake pas një shpallje publike lidhur me paraqitjen e kandidaturave, tregon qartë se kërkesa e partisë së Ali Ahmetit, nuk mbështetet.

Alajdin Demiri, profesor universitar dhe njohës i rrethanave politike, thotë se konsensusi më frytdhënës do të ishte nëse së pari arrihet mes partive shqiptare, pasi kjo si asnjëherë më parë do ta fuqizonte votën shqiptare.

“Konsensusi etnik mund të rrisë mundësitë e shqiptarëve në kërkesat e tyre, ndoshta jo për kryetar, por për zëvendëskryetar, i cili me votat e tilla e delegjitimon kryetarin maqedonas dhe i jep mundësi të mëdha një faktori apo një nënkryetari eventual shqiptar, i cili do të imponohet me gjithë këto vota. Por, problemi është se sa është i realizueshëm ky projekt? Realizimi i këtij projekti është i vështirë, pasi partitë politike shqiptare kanë hipoteka, por në qoftë se realizohet, është një dobi e madhe për politikën shqiptare në Maqedoni“, thotë Demiri.

Ai shton se partitë shqiptare, të paktën, duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për disa nga çështjet të hapura, të cilat kanë mbetur të tilla para së gjithash me fajin e tyre, meqë çdo herë kur janë në pushtet, çështjet e tilla, si gjuha, përfaqësimi, simbolet kombëtare nuk i zgjidhin apo edhe zgjidhjet që i miratojnë janë parciale.

Ndërkohë, Xhelal Neziri, analist dhe ligjërues i gazetarisë, konsideron se përvoja e deritashme e bashkëpunimit ndërmjet partive shqiptare, nuk lë shumë për të dëshiruar.

Ai thotë se deri tani partitë shqiptare nuk kanë pasur as edhe një bashkëpunim apo edhe kur kanë arritur diçka të tillë, nuk e kanë realizuar.

“Nga përvoja e dimë se që nga këshilli koordinues, e deri tek iniciativat tjera ndërmjet dy partive shqiptare, BDI dhe PDSH, asnjë marrëveshje që është arritur mes tyre, nuk është zbatuar apo nuk është respektuar. Mendoj se edhe kjo është një flluskë e radhës nga ana e partive shqiptare dhe një sfidë ndaj njëri-tjetrit, të përfitimit të sa më shumë përkrahjeje në opinion“, thotë Neziri për Radion Evropa e Lirë .

Por, Neziri nuk përjashton edhe një mundësi tjetër, atë që në rast të ndonjë krize pas zgjedhjeve presidenciale, dy partitë të hyjnë së bashku në qeveri.

Nga BDI-ja ende nuk kanë komentuar propozimin e PDSH-së për bashkëpunim dhe arritjen e një platforme të përbashkët për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Nga kjo parti thonë se janë ende në pritje të pranimit të idesë për kandidat konsensual, por nëse kjo përfundimisht refuzohet, atëherë kanë edhe alternativa tjera, varësisht nga rrethanat që mund të imponohen.

Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 13 prill, ndërsa nëse partitë vendosin edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë do të mbahen së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve për president, më 27 prill.
XS
SM
MD
LG