Ndërlidhjet

KMDLNj kërkon përgjegjësi për krimin e 10 shkurtit


Ilustrim

Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kërkon që të vendoset drejtësia dhe të zbardhet krimi i kryer ndaj protestuesve paqësor të Vetëvendosjes, që është kryer më 10 shkurt të vitit 2007, ku u vranë dy veta dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.

KMDLNj konsideron se krimi “nuk mund të harrohet” duke e mbyllur rastin, andaj kërkon përgjegjësi penale për të gjithë ata që ishin të përfshirë në këtë krim ndaj protestuesve paqësorë.

“KMDLNj kërkon që viktimat e këtij krimi, Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar ndërsa familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës. Edhe të plagosurit duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin”, thuhet në një komunikatë të KMDLNj-së dërguar medieve të hënën.

Protestat e 10 shkurtit të vitit 2007 ishin shtypur dhunshëm nga kontingjenti rumun i forcave speciale të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kurse në saje të përgjegjësisë morale ishte dorëhequr ministri i brendshëm Fatmir Rexhepi.

Përgjegjësi kishte marr edhe shefi ish-shefi i policisë së UNMIK-ut Steven Curtis.

Sipas këtij njoftimi, KMDLNj e bënë përgjegjës kryesor për këtë krim diplomatin amerikan Steven Schook, që në atë kohë ishte zëvendës kryeadministrator i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) i cili, siç thuhe, “ka koordinuar dhe urdhëruar shtypjen e protestës me dhunë”.

Schook edhe pas përfundimit të mandatit në UNMIK, vazhdon të qëndroj në Kosovë, ndërsa vepron si bashkëpunëtor në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Por përveç tek ndërkombëtarët, KMDLNj, thotë se përgjegjësia bie edhe mbi politikanët kosovar dhe mediet, për krimin e 10 shkurtit.

“KMDLNj përkujton se nga përgjegjësia politike, morale dhe mbase edhe penale nuk mund të përjashtohen as një pjesë e udhëheqësisë së atëhershme të Kosovës dhe një pjesë e mediave elektronike dhe të shkruara që u bënë mbështetës të krimit që u bë nga Policia e UNMIK-ut duke informuar në mënyrë tendencioze dhe të shtrembëruar”, thuhet në këtë njoftim.

KMDLNj kërkon nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ngrejnë zërin në mbështetje të kërkesës së KMDLNj - së duke kërkuar drejtësi për Xheladinin e Balajn të ekzekutuar nga Policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007 si dhe përgjegjësi për ata që e kryen krimin, e urdhëruan, nuk e penguan apo kontribuuan për këtë krim!

“Imuniteti nuk është arsye e as argument që të mos kërkohet ndëshkim për ata që e kryen krimin ndërsa kalimi i kohës gjithashtu nuk është argument që ky krim të lihet si rast “ad acta””, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së të nënshkruar nga Behxhet Shala.
XS
SM
MD
LG