Ndërlidhjet

WP: Aleanca e transformuar franko-amerikane


 Barack Obama dhe Francois Hollande
Barack Obama dhe Francois Hollande
Shkruajnë: Barack Obama e Francois Hollande

Paqja në Siri do të nënkuptojë fundin e diktaturës por edhe terrorizmit, thonë dy presidentët, ai i Shteteve të Bashkuara dhe tjetri i Francës, Barack Obama e Francois Hollande në një editorial të botuar të hënën në gazetën Washington Post.

Dy liderët global nënvizojnë se regjimi në Siri duhet t’i përmbush obligimet e dala nga marrëveshja e arritur për dorëzimin e arsenalit kimik, pasi perëndimi po e mban fjalën dhe ka nis largimin e këtij armatimi, për ta shkatërruar më vonë.

“Me luftën civile e cila po kërcënon stabilitetin rajonal, përfshirë edhe Libanin, bashkësia ndërkombëtare duhet të shtojë përpjekjet e saj për t’u kujdesur për popullin sirian, të forcojë opozitën e moderuar siriane, dhe të punojë për procesin e samitit të dytë në Gjenevë, drejt një zgjidhjeje politike kalimtare, e cila i çliron popullin sirian nga diktatura dhe terrorizmi”, thuhet në editorialin e përbashkët të dy presidentëve.

Presidenti i Francës Francois Hollande niset të hënën për Washington ku do të kaloj tri ditë, ndërsa pritet të bëjë përpjekje për të lehtësuar lidhjen e marrëveshjeve afariste mes kompanive të të dyja vendeve.

Në shtetin e tij, Hollande është në fokus të medieve pasi Pallati Elyseeka mbetur pa Zonjën e Parë Valerie Trierweiler, për shkak të aferës së tij të dashurisë, me aktoren Julie Gayet.

Lidhjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës janë transformuar në dekadën e fundit, ndërsa presidentët Obama e Hollande në editorialin e tyre kanë shkruar se zyrtarët francez dhe amerikan, përditë këmbejnë informata për të luftuar terrorizmin gjithandej botës.

Washingtoni dhe Parisi zyrtar, nuk kanë qenë gjithnjë në sinkron, posaçërisht pas kundërshtimit të Francës për invazionin në Irak, që ngjau një dekadë më parë.
Mirëpo, dy presidentët në editorialin e tyre shkruajnë se kjo aleancë, tani është transformuar, dhe shembull marrin bashkëpunimin që dy shtetet e tyre kanë në kontinentin e Afrikës, ku janë të angazhuara në misione të përbashkëta, ndërsa vlerësojnë se kjo aleancë duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera.

Kjo meqë, sipas tyre, kërcënimi nga terrorizmi është global, e jo vetëm i përqendruar tek këto dy superfuqi.

Andaj marrin si shembull bashkëpunimin e tyre, për të nxitur të tjerët t’iu bashkohen.
“Ndoshta askund tjetër, partneriteti jonë nuk shfaqet më mirë sesa në Afrikë. Në Mali, forcat franceze dhe ato të Unionit Afrikan – me mbështetjen logjistike dhe të inteligjencës amerikane– kanë larguar militantët e Al-Kaidas, dhe i kanë mundësuar popullit që të ndjek të ardhmen demokratike. Përgjatë rajonit Sahel, jemi në partneritet me këto vende për të parandaluar Al-Kaidan që të fitoj terren".

"Në Republikën Qendrore Afrikane, ushtarët francez dhe të Unionit Afrikan – të mbështetur nga logjistika dhe shërbimet e inteligjencës amerikane – po punojnë bashkë për të frenuar dhunën dhe të krijojnë hapësirë për dialog, pajtim dhe përparim të shpejt që do të çonte në zgjedhje kalimtare”, shkruajnë Hollande dhe Obama.

Përveç luftës kundër terrorizmit, dy presidentët kanë shkruar në Washington Post edhe për bashkëpunimin që Franca dhe Shtetet e Bashkaura kanë në forcimin e raporteve bilaterale ekonomike.

Sipas tyre, Franca është një prej eksportuesve kryesor në tregun amerikan, kurse Shtetet e Bashkuara janë konsumatori më i madh i të produkteve franceze jashtë zonës së Bashkimit Evropian, një tregti kjo e cila, sipas tyre “përkrah afro një milion vende të punës në dy vendet tona”.

Shkrimi editorial i dy presidentëve është bërë në kohën kur presidenti Hollande pritet të nis vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara, ku në tavolinën e bisedimeve do të jetë edhe marrëveshja për pezullimin e pasurimit të uraniumit në Iran, Siria, kriza politike në Ukrainë, dhe këmbimi ekonomik mes dy vendeve.

Përgatiti: Fatmir Aliu
XS
SM
MD
LG