Ndërlidhjet

Maqedoni: Zonat e lira ekonomike shndërrohen në kullosa


Ilustrim
Ilustrim
Rritja e numrit të zonave të lira ekonomike në Maqedoni së fundmi me paralajmërimin për hapjen e asaj në Ohër, në asnjë mënyrë nuk paraqet veprim në bazë të cilit do të intrigoheshin kompanitë botërore për të derdhur kapitalin e tyre në vendin tonë, thonë ekspertët e ekonomisë dhe afaristët.

Gjersa me kapacitet jo të plotë funksionon zona ekonomike Bunarxhik e Shkupit dhe ajo e Shtipit, zonat e tjera të promovuara tanimë dy vite janë ose në fazën fillestare të ndërtimit të infrastrukturës ose thjeshtë figurojnë vetëm si projekte ideore, ndërkohë që paralajmërohet hapja edhe 7 të tjerave në disa qytete të Maqedonisë.

Sllobodan Najdovski ekspert i ekonomisë, thotë se hapja e zonave të shumta ekonomike në një vend të vogël siç është Maqedonia, qëllim parësorë ka përfitimin e poenave politikë nga ana e partive politike në pushtet dhe shumë pak mund të shpresohet që përmes tyre të ulet papunësia e lartë e cila është evidente.

“Po praktika ka dëshmuar se veçanërisht gjatë periudhës parazgjedhore pushteti paralajmëron investime të shumta përfshi këtu dhe hapjen e zonave ekonomike”, thekson Najdovski.

Përmes funksionimit të zonave të lira ekonomike, autoritete qeveritare synojnë hapjen e vendeve të reja të punës, për ta ulur papunësinë.

Drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale, Viktor Mizo në fillim të këtij viti për Radion Evropa e Lirë tha se eksporti që do të realizojnë kompanitë investuese në Maqedoni në zonat industriale në Shtip dhe Shkup pritet të jetë mbi 760 mijë euro duke nënvizuar se parashikohet që të rritet edhe numri i punësimeve pa dhënë shifra konkrete sa vende të reja pune do të hapen.

Po me këtë nuk pajtohet Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore sipas të cilit nuk ekzistojnë argumente, në bazë të së cilave do të verifikohej se funksionimi i kompanive të huaja në zonat ekonomike ka ndikuar në masë të konsiderueshme në uljen e papunësisë.

“Ne jemi pro partneritetit me kompanitë e huaja por assesi nuk mund te shihet se kompanitë e huaja janë ata që kontribuojnë në uljen e papunësisë. Për të qenë të hapur, në uljen e papunësisë ka kontribuar Qeveria duke i fshirë nga evidenca një numër të madh të papunëve, duke ndryshuar metodologjinë e regjistrimit”, thekson Halili.

Afaristët në Maqedoni kanë kërkuar që të shqyrtohet plani qeveritar për investimet e huaja, për shkak të shmangies së harxhimeve të mëdha për zonat e lira ekonomike, për promovimet e kushtueshme të këtyre zonave para kompanive të huaja si dhe për shërbimet e tjera që nuk kanë sjellë asnjë efekt për përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Shumica nga këto zona nuk i kanë as kushtet elementare për të filluar me investime konkrete nga ana e investitorëve potencial dhe në këtë drejtim pyetja më korrekte është ajo që duhet parashtruar Qeverisë së Maqedonisë sa është efikasiteti i këtyre zonave të shumta në numra, por të pakta në efikasitet që më pas të mund t'u ofrohen si potencial investitorëve të huaj”, thotë Halili.

Por mendim krejtësisht të kundërt ka drejtoi ekzekutiv i konfederatës së Biznesit në Maqedoni Mile Boshkovski, i cili konsideron se pikërisht përmes zonave të lira ekonomike dhe prezencës së kompanive të mëdha prestigjioze përmirësohet dhe kualiteti i forcës punëtore në vend.

“Sa u përket politikave ekonomike, zonat e lira ekonomike mund të japin një porosi pozitive ekonomike, andaj janë me numër aq të madh, njëherësh zonat ekonomike duhet parë edhe si mundësi për ngritjen e cilësisë së forcës punuese, sepse ata atje marrin kualifikime përkatëse për punë të caktuara”, vlerëson Boshkovski.
XS
SM
MD
LG