Ndërlidhjet

Shpend Ahmeti



Shpend Ahmeti

Shumë shumë pyetje mbesin pa përgjigje. Nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e plotë të krimit. Lexoni më poshtë komunikaten.

Me datën 7 Shkurt 2014, Komuna e Prishtinës ka marrë tri mostra të naftës nga tri shkolla në Prishtinë, Sh. F. AsimVokshi, Sh.F. Meto Bajraktari dhe Gj. Sami Frashëri. Edhe pse kontrata për naftë me Kompaninë "HIB Petrol" ishte për naftë dhe faturat janë për diesel me vlera të squfurit 10 ppm, mostrat kishin dalë me vlera që mbërrijnë 680 ppm.

Komuna e Prishtinës të premten menjëherë kërkoi vlerësimin e rrezikshmërisë së niveleve të tilla të squfurit në naftë. Me datën 10 shkurt 2014, Komuna ka marrë përgjigje nga Instituti i Shwndetit Publik:

1. Instituti NUK ka dhënë vlerësim të niveleve të tilla të squfurit dhe efektet potenciale në shëndet. Instituti nuk ka dhënë as edhe analizën më të vogël për vlerat e lejuara të squfurit në ambiente të tilla pa filtra dhe makina përkatëse për djegien e vajrave.

2. Instituti ka konstatuar se sipas analizave nga laboratorët se lënda nuk është naftë sipas nenit 7 të udhëzimit administrativ 17/2012, por është vaj për djegie.

3. Instituti ka konstatuar se në këto tri shkolla rezervuarët janë të mbyllura dhe NUK mund të kontaminojnë ajrin në klasa dhe se po të njëjtat makina nuk kanë filtrat e nevojshëm, por megjithatë oxhaqet janë të larta mbi nivelin e shtëpive.

4. Instituti ka dhënë rekomandime për Komunën të cilat kanë të bëjnë me riparimet e nevojshme në shkolla.

Në bazë të kësaj përgjigje, Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë këto hapa:

1. Komuna e Prishtinës do të kërkojë vlerësim shëndetësor të nivelit të lartë të squfurit në motorë pa filtra dhe që përdorin naftë, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga organizata tjera ndërkombëtare.

2. Komuna do të vazhdojë marrjen e mostrave nga të gjitha shkollat, dhe po ashtu disa nga mostrat e kontaminuara do t’i dërgojë për super analizë jashtë vendit për të vërtetuar se në produkti i cili blihet si naftë me vlera 10 ppm të arrijë vlera të squfurit deri në 700 ppm. Komuna do t’i ndihmojë autoriteteve zbulimin e krimit potencial ekonomik ku komuna e Prishtinës është dëmtuar në vlera që arrijnë mbi 1 milion Euro.

3. Në shkollat ku rezervuarët janë në hapësira të mbyllura do të rifillojë mësimi në bazë të përgjigjes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë ku përgjegjësinë për këtë e merr Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe komisioni i ekspertëve të Institutit.

4. Në shkollat ku rezervuarët janë në hapësira të hapura dhe në kontakt me nxënësit nuk do të përdoret ngrohja përderisa nuk bëhet ndërrimi i naftës së kontaminuar dhe pastrimi aty ku është e nevojshme. Nafta e zbrazur do të dërgohet për analiza jashtë vendit.

5. Ndalohet përdorimi i gjeneratorëve derisa të bëhet zëvendësimi i naftës së kontaminuar me naftë tjetër.

6. Për shkak të vlerësimit se në Shkollën "Meto Bajraktari" vërehet një erë nafte, mësimi në këtë shkollë nuk rifillon derisa të bëhet riparimi i defekteve teknike.

7. Komuna e Prishtinës do të kontaktojë zyrtarisht me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në lidhje me kontaminimin e ajrit për shkak të përdorimit të ndaluar të vajrave.

Komuna e Prishtinës edhe njëherë dëshiron të ritheksojë se shëndeti dhe siguria e qytetarëve janë prioriteti i parë. Komuna nuk do të ndalet deri në zbardhjen e plotë të çështjes së përdorimit të naftës jashtë standardeve.

Komuna e Prishtinës ju bën thirrje shoqërisë civile, mediave dhe subjekteve politike të kërkojnë përgjegjësi për cilësinë e karburanteve në Republikën e Kosovës, sepse mungesa e kontrollit dhe menaxhimit dëmton shëndetin publik.
XS
SM
MD
LG