Ndërlidhjet

Zvicër: Vota për izolim


Ilustrim
Ilustrim
Shtypi ndërkombëtar i ka kushtuar një vëmendje të posaçme votimeve kundër emigracionit në Zvicër. Ndonëse me një rezultat të ngushtë në referendumin e së dielës, me 50.3 % në favor të kufizimit të emigracionit, dëmet mund të jenë afat-gjata, shkruajnë gazetat perëndimore...


Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por marrëveshjet që ka me Brukselin lejojnë një qarkullim të lirë të fuqisë punëtore ndërmjet kësaj republike dhe vendeve tjera evropiane.

Por, tash, pas votimit për të kufizuar emigracionin, Zvicra ka tre vjet në dispozicion për ta përkthyer këtë vullnet qytetar në ligj, shkruan Wall Street Journal, duke shtuar se referendumi nuk ka saktësuar kufizimet specifike, por do t’i takojë qeverisë që ta përshtat ligjin me vullnetin e shprehur.

Zyrtarët evropianë nuk janë shumë të kënaqur me zviceranët, shkruan gazeta, duke bërë të dirur se në parlamentin evropian disa janë kërcënuar me masa ndëshukese përmes sanksioneve tregtare. Gjysma e eksporteve zvicerane importohen në vendet e Bashkimit Evropian, me të cilat edhe thuase është tërësisht e kufizuar.

Zvicra mbase tingëllon si vend i bankierëve ndërkombëtarë dhe terreneve të skijimit, por është gjithashtu vend shumë malor dhe jo shumë kohë më parë, banorët e saj kanë jetuar të shkëputur nga vendet fqinje.

Referendumi i së dielës pasqyron pikërisht këtë dualizëm: ka ende miliona njerëz në Zvicër që preferojnë të jetojnë në izolim, shkruan WSJ.

Megjithatë, shkruan gazeta, Zvicra e izoluar e asaj kohe ishte më e varfër dhe përparimi i këtij shteti është rezultat i drejtëpërdrejtë i kufijve të hapur me Evropën dhe pjesën tjetër të botës.

E përditshmja Financial Times ndërkaq merr një kahje pak më ndryshe në raportimin mbi këtë referendum. Gazeta shkruan se Brukseli duhet t’ia kujtojë vetes së Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por ndërkohë ka mbi vete përgjegjësitë që ka një shtet anëtar.

Është një shtet që ka hyrë në marrëveshje të shumta bilaterale me Brukselin për qasje në një treg të vetëm, prandaj edhe ka të drejtën, si çdo vend tjetër, të shfuqizojë ato marrëveshje, nëse dëshiron. Gazeta i rekomandon Brukselit të reagojë ndaj kufizimeve mbi emigracionin me reciprocitet dhe me gjakftohtësi, në vend të masave të ndëshkimit.

Si në Zvicër, ashtu edhe në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, shqetësimi publik mbi emigracionin nuk mund të injorohet, por, shkruan FT, qeveritë duhet të përqëndrojnë kundër-përgjigjen e tyre në rikonfigurimin e sistemit të tyre të mirëqenies për të eliminuar atë që njihet si “turizëm përfitimi” kudo që ka mundësi.

Financial Times, sikundër edhe Wall Street Journal, tërheqin vërejtjen se referendumi do të ketë ndikim të madh në vendet sikur që është Britania, qeveria e së cilës po mëton të rinegociojë anëtarësimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE.

Nga ndëshkimi që do të pësojë Zvicra në këtë rast, gazetat shkruajnë se do të varet edhe qasja e euroskeptikëve për të rinegociuar anëtarësimin e Britanisë në bllokun evropian. (a.v.)
XS
SM
MD
LG