Ndërlidhjet

logo-print

Bosnja e përfshirë nga trazirat

  • RFE /RL

Pamje nga Tuzlla, 7 shkurt 2014

Pamje nga Tuzlla, 7 shkurt 2014

Në Bosnjë ka pasur protesta të reja kundër papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit.

Protestat, që javën e kaluar u shndërruan në demonstrim të dhunshëm, konsiderohet se paraqesin trazirat më të këqija në këtë vend, prej përfundimit të luftës së viteve 1992-1995.

Protestuesit në Sarajevë dhe në qytetet e tjera në gjithë Bosnjë Hercegovinën, kanë kërkuar dorëheqjen e liderëve rajonalë dhe lokalë, të cilët nga protestuesit fajësohen për probleme ekonomike dhe korrupsion.

Në qytetin verior Tuzlla, ku demonstratat filluan javën e kaluar, një protestues tha:

“Politikanët kanë bërë çka kanë dashur për dy vjet. Ne kërkojmë dorëheqje. Ata na kanë plaçkitur. Ata i shkatërruan fabrikat tona, ata i shndërruan fëmijët tanë në huliganë dhe është koha që e gjithë kjo të përfundojë”, i tha Radios Evropa e Lirë ky protestues.

Protestuesit, po ashtu, kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe qeveri të re të ekspertëve jopartiakë.

Protestat këtë javë, ishin, kryesisht, paqësore. Më se 300 vetë janë plagosur gjatë protestave javën e kaluar, me ç’rast protestuesit i ndezën disa ndërtesa qeveritare.

Problemet ekonomike të Bosnjës konsiderohet se janë të shkaktuara nga struktura komplekse politike e ndarjeve etnike të pasluftës.

Protestat aktuale ishin të koncentruara kryesisht në Federatën Myslimano – Kroate, por ka pasur demonstrata edhe në Republikën Serbe të Bosnjës.

Presidenti i saj, Millorad Dodik, gjatë vizitës së fundit në Beograd, pretendoi se organizatat boshnjake kanë dorë në protestat në rajonin e Republikën Serbe të Bosnjës.

“Organizatat të cilat e bëjnë tubimin e qytetarëve në Republikën Serbe janë përfaqësues të popullit boshnjak, ose ata që direkt janë të lidhur me institucionet ose strukturat e Federatës së Bosnjë Hercegovinës. Kështu ishte në Banja Llukë, kështu është në Bijelinë”, tha Millorad Dodik.

Por, Dragana Dardiq, aktiviste e organizatave joqeveritare në Banja Llukë, i ka hedhur poshtë akuzat e Dodikut.

“Nëse këtu është aq mirë, aq bukur, që na lulëzojnë lulet, e kemi atë standardin zviceran, dhe nëse secili prej nesh e ka rrogën 1500 marka të Bosnjës, sa në janar ishte shpenzimi për shportën e artikujve për një familje katër anëtarëshe, në Republikën Serbe, atëherë nuk e kam të qartë përse autoritetet në Republikën Serbe, i kushtojnë kujdes kësaj situate duke mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme dhe duke e kontrolluar situatën”, tha Dragana Dardiq.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga politikanët e Bosnjë Hercegovinës, që të tregojnë aftësi “udhëheqëse” duke inicuar reforma, të cilat do të mundësojnë që ky vend ta kaloj krizën ekonomike dhe politike, e cila i ka shkaktuar protestat. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG