Ndërlidhjet

BE: Çështja e të pagjeturve duhet të zgjidhet


Ilustrim
Ilustrim
Fati i mbi 1,700 të pagjeturve nga lufta në Kosovë e vitit 1999, duhet të zbardhet, ka thënë sot Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian Catherine Ashton.

“Kjo çështje [e të pagjeturve] po vëzhgohet nga afër. Ka po ashtu një grup punues të cilin e drejtor ICRC, dhe është i angazhuar në këtë cështje. Andaj mendoj se ka përpjekje të shumta në këtë aspekt, dhe vërtet këto raste duhet të zgjidhen”, ka thënë Kocijançiq.

Përgjigja e saj rrjedh nga pyetja që kanë parashtruar mediet në Bruksel, rreth një raporti të organizatës globale për të drejtat e njeriut, Amnesty Internatiional, e cila ka kërkuar zgjidhjen e fatit të të pagjeturve.

Në raportin e kësaj organizate i bëhet thirrje baroneshës Catherine Ashton që të lehtësojë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth abuzimit të të drejtave të njeriut gjatë luftës.

Amnesty International ka kërkuar edhe që viktimat e luftës dhe familjet e tyre duhet të kompensohen, ndërsa përgjegjësit për krimet të sillen para drejtësisë.

“Ne kemi marr shënim për deklaratën e Amnesty International, të para disa ditëve, lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut, ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, dhe nevojës për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve nga konflikti i vitit 1999”, ka thënë për këtë raport Kocijançiq.

“Ne i kemi inkurajuar të dyja për të shtuar përkushtimet politike, dhe t’i alokojnë mjetet e nevojshme [financiare, kështu që rastet e mbetura të zgjidhen”, shtoi zëdhënësja e Catherine Ashton.

Sipas të dhënave të fundit, 1,716 persona ende llogariten si të pagjetur nga lufta në Kosovë.
XS
SM
MD
LG