Ndërlidhjet

Kontradikta rreth ngrohjes së shkollave, naftë apo vaj?


Ilustrim

Ilustrim

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk po pajtohet me rezultatet e analizave të naftës se Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ahmeti, ka kërkuar sqarim shtesë nga Instituti se çfarë do thotë niveli i sulfurit prej 700 ppm në naftë në shëndetin e qytetarëve.

Vlerësimet e dhëna nga instituti, sipas tij, për motor djegës janë të fushës së inxhinierisë.

Në analizat e bëra në tri mostra, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka vlerësuar se “nafta e analizuar nuk mund të përdoret për motorët për djegie të brendshme, por mund të përdoret si vaj për ngrohje.

Komuna e Prishtinës të premten kishte urdhëruar mbylljen e shkollave në kryeqytet nën dyshimet se nafta që përdoret për ngrohje mund të sjellë efekte të dëmshme në shëndetin e fëmijëve.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për Radion Evropa e Lirë thotë se komuna nuk do të ndalet për zbardhjen e rastit deri në fund, dikush duhet të marrë përgjegjësi, pasi sipas tij, prapa mashtrimit qëndrojnë shumë interesa.

“Do të vazhdojmë në dy kahje. Në aspektin e parë është shëndeti publik. Në qoftë se ata (instituti) thonë se nuk është e rrezikshme, dhe neve na rezultojnë se janë të rrezikshme, atëherë ky institut, dhe ministria në të cilën bën pjesë, duhet të mbajnë përgjegjësi. Kahu i dytë ka të bëjë në aspektin e krimit ekonomik".

"Sepse neve na është shitur një produkt si naftë, megjithatë rezulton të mos jetë naftë. Madje kompania që na shet neve nuk e ka as licencën për importin e vajrave tjera djegëse. Prandaj, po mundohemi të zbulojmë edhe krimin ekonomik”. thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Disa nga pyetjet shëndetësore, Ahmeti ka thënë se tashmë i kanë dërguar edhe te disa institucione ndërkombëtare. Po ashtu janë iniciuar procedurat e dërgimit të mostrave nga nafta për super analizë jashtë vendit.

Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thonë se emërtimi është vaji për ngrohje, por është një naftë që importohet në Kosovë.

Lulëzim Demolli, këshilltar politik për media i ushtruesit të detyrës se ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, thotë se nëse cilësia e këtij derivati nuk është më parametrat e caktuara në Kosovë, sipas udhëzimit administrativ, ai del në kategorinë e vajrave për ngrohje.

Sipas udhëzimit administrativ të MTI-së për cilësinë e karburantëve të naftës, thuhet se në Kosovë lejohet vetëm importi dhe përdorimi i naftës më njësinë matëse 10 ppm.

“Përderisa dizeli që ka nivel më të lartë sulfur se 10 ppm, lejohet të përdoret për djegie. Dhe ky derivat njihet si derivat i lehtë për ngrohje. Kemi edhe vaj të rëndë për ngrohje, i cili përdoret në industri të rëndë, që ka përbërje të sulfurit deri në 10000 ppm”, shprehet Demolli.

Por, kryetari i komunës se Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se do të kërkojë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, listën e kompanive që kanë licencë për shitjen e këtij lloj vaji. Sipas tij, kompania furnizuese “HIB Petrol” nuk e ka një licencë të tillë.

“Ajo (HIB Petrol) e ka cekur se nuk ka licencën dhe shet vetëm naftë me 10 ppm. Dhe tash neve na mbetet që të pyesim Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që është përgjegjëse për këtë çështje, se si mundet një kompani që nuk ka licencë, të ketë në pronësi të vetes atë sasi të naftës e cila është shumë më e lirë, por neve na faturohet 30 për qind më shtrenjtë, sepse na është shitur si naftë”, thekson Ahmeti.

Edhe udhëheqës të kompanisë për derivatet e naftës “HIB Petrol" thonë se kompania e tyre importon dhe shet vetëm naftë më nivel të sulfurimit 10 ppm.

Menaxheri Gjeneral i Kontraktimeve në kompaninë HIB Petrol, Fatbardh Xhaferi, për Radion Evropa e Lirë, thekson se kompania, institucionet shkollore i ka furnizuar më naftë 10 ppm, sipas udhëzimeve administrative në fuqi.

Ai përsërit se kompania që shtatë vite nuk ka importuar vajra për ngrohje.

“Nafta e importuar është sipas udhëzimeve në fuqi, dhe furnizimi është bërë me të njëjtin derivat të importuar. Ne japim llogari për atë që kemi importuar, është kontrolluar, ekziston certifikata e kualitetit, është bërë kontroll në kufi dhe është bërë dërgesa në depo dhe nga depoja dërgesa është bërë drejtë në institucion. Por, nuk japim përgjegjësi për rezervoar ose për pronësinë e tjetërkujt”, bën të ditur Xhaferi.

Por, njohës të kësaj fushe konsiderojnë se është krijuar një gjendje konfuze, që ka shtrirje të gjerë.

Ramadan Buzhala, ish kryesues i Këshillit për Licencim të Naftës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se nuk është më në pyetje cilësia e naftës dhe rrezikut shëndetësor, pika e kuqe, siç shprehet ai, është çështja e devijimit të respektimit të kontratës mes kompanisë furnizuese dhe komunës se Prishtinës.

“Nuk është këtu problem çështja e cilësisë dhe rrezikut. Por, këtu janë kushtet në tender dhe përgjegjësia ndaj asaj marrëveshjeje karshi tenderit, do të thotë marrëveshjes që kompania e ka fituar atë tender”, shprehet Buzhala.

Komuna e Prishtinës, ka kontratë me kompaninë "HIB Petrol" për furnizim me dizel dhe jo me lëndë të tjera, sepse siç thonë udhëheqës të komunës, shkollat nuk i kanë mekanizmat dhe filtrat e nevojshëm për të përdorur vajra të tjera.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG