Ndërlidhjet

Jahjaga i shkruan Haradinajt: S'ka zgjedhje të parakohshme


(Ilustrim)

(Ilustrim)

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga thotë të ketë marr parasysh letrën të cilën i dërgoi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, por se nuk ka hapësirë për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Haradinaj i kishte dërguar dje presidentës një letër ku i kishte shpjeguar gjendjen politike, duke vlerësuar se duhet shpallur sa më parë zgjedhjet për të tejkaluar këtë situatë.

“Siç e dini, shpallja e mbajtja e zgjedhjeve të rregullta të përgjithshme është e rregulluar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, respektivisht nenit 66 dhe nenit 4 të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërkohë që në rast të nevojës për shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, procesi rregullohet në bazë të neneve 82 dhe 66 të Kushtetutës, dhe nenit 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në përgjigjen që presidentja Jahjaga i dërgoi Haradinajt.

Presidentja e shtetit i ka falënderuar megjithatë kryetarit të AAK-së për letrën e dërguar, dhe për vlerësimet rreth situatës dhe zhvillimet politike në vend, të cilën thotë se “e kam marrë parasysh dhe shqyrtuar”.

“Duke ju shprehur konsideratat e larta, ju falenderoj për bashkëpunimin dhe mbes e përkushtuar ndaj përmbushjes së rolit tim kushtetues që bashkarisht të punojmë në funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen dërguar kreut të AAK-së të martën.
XS
SM
MD
LG