Ndërlidhjet

logo-print

Mbrojtësit e zogjve e filluan numërimin global


Prej Afganistanit e deri në Ballkan këtë javë fillon numërimi i zogjve në mbarë botën.

Aksioni në kuadër të Numërimit të Madh të Zogjve në Ambient, u jep mundësi njerëzve të të gjitha moshave dhe kategorive të arsimit, që t’i ndihmojnë shkencëtarët në gjurmimin e komunitetit të zogjve.

Mark Mallalieu është mbrojtës i pasionuar i zogjve prej se ishte fëmijë gjashtëvjeçar. Tash ai ka rast që të aktivizohet në këtë fushë.

Gjatë periudhës ndërmjet 14 dhe 17 shkurtit, ai do t'u bashkohet dhjetëra mijëra vullnetarëve nga e gjithë bota, që marrin pjesë në numërimin e 17 vjetorit global të zogjve.

Gjatë këtyre ditëve do të synohet që secili njeri të ndihmoj në krijimin e të dhënave më të reja për shpërndarjen e zogjve në gjithë botën.

Aktivisti Mark Mallalieu, gjatë kësaj fushate do të jetë në Afganistan, ku ai aktualisht është udhëheqës i Departamentit për Zhvillim Ndërkombëtar të qeverisë britanike.

“Unë do të jem në kompleksin diplomatik në Kabul, ku ka disa drunj dhe unë e kam lënë atje një sasi të ushqimit për zogjtë. Fushata si kjo ka për qëllim që njerëzit të kujdesen për zogjtë e tyre në kopsht dhe ta shtoj interesimin për zogjtë, për botën shtazore, për konservimin dhe në përgjithësi për ambientin. Mendoj se mua më së shumti më pëlqen numërimi i zogjve”, thotë Mark Mallalieu.

Ky projekt është iniciuar nga Cornell Lab of Ornithology dhe Audubon Society në Shtetet e Bashkuara së bashku me Bird Studies Canada.

Ideja është që të të shfrytëzohen “shtetasit shkencëtarë” për të bërë kërkime për zogjtë.

Kathy Dale, është eksperte në National Audubon Society në Shtetet e Bashkuara.

Ajo thekson se shkencëtarët do t’i përdorin të dhënat e tubuara gjatë kësaj fushate për t’i studiuar ndryshimet në ambientet dhe klimën e shpezëve dhe sjelljet e tyre ndaj sëmundjeve.

“Ky lloj i informacioneve që tubohen nga dhjetëra mijëra vullnetarë na ndihmojnë neve që ta gjurmojmë shëndetin e popullatës së zogjve në atë shkallë, që nuk do të ishte e mundshme në ndonjë tjetër mënyrë”, thotë Kathy Dale.

Kontributi në fushatën e numërimit është i lirë dhe i thjeshtë. Pjesëmarrësit e caktojnë një ose më tepër lokacione, ku ata do të jenë në gjendje t’i vështrojnë zogjtë gjatë së paku periudhës prej 15 minutave. Lista me shënimet e zogjve bëhet çdo ditë për secilin lokacion.

Gjatë numërimit të vitit të kaluar, që për të parën herë ishte në përmasa globale, dashamirët e zogjve kanë raportuar prej 111 vendeve.

Janë numëruar më se 34.5 milionë zogj individual dhe afro një e treta e sasisë së tërësishme të llojeve të zogjve në botë janë identifikuar.

Duke u shprehur për këto shifra, ekspertja Kathy Dale thekson:

“Kjo është e mrekullueshme dhe ne sinqerisht shpresojmë t’i rrisim të gjithë këta numra, përfshirë edhe pjesëmarrjen jashtë Amerikës Veriore. E ftoj secilin që është i interesuar që ta vizitoj faqen tonë në Internet, birdcount.org, dhe ta shikoj listën e vendeve, që ishin përfaqësuar vitin e kaluar. Është shumë interesant”, thotë Kathy Dale.

Për ata që ndoshta do ta kontestonin këtë numërim të zogjve në vendet ku është periudhë dimërore, aktivisti Mark Mallalieu, thotë se kryeqyteti iKabul në Afganistan, në këtë aspekt paraqet shumë befasi të kënaqshme.

“Disa zogj duket se e menaxhojnë ta përballojnë dimrin shumë të ftohtë. Ka bile edhe papagaj të vegjël, që ju do të mendoni se janë zogj tropikalë. Ata janë me ngjyrë të gjelbër të çelur, me bisht të gjatë dhe janë shumë të zhurmshëm. Ka edhe shumë harabela, që janë ngjyrë kafe dhe me shirita të verdhë të ndritshëm. Ka edhe laraska, pëllumba, e zogj të tjerë”, thotë Mallalieu. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG