Ndërlidhjet

Howitt: Vizita e Venizelos në Maqedoni, shans për emrin


Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Richard Howitt, para studentëve, shkurt 2014.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Richard Howitt, para studentëve, shkurt 2014.
“Vizita e ministrit të Jashtëm grek, Evangelis Venizelos, në Maqedoni, duhet parë si shans i mirë për t`u shënuar përparim në zgjidhjen e kontestit të emrit ndërmjet dy vendeve”, ka theksuar raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Richard Howitt para studentëve .

“Dua të theksoj se para vizitës së Ministrit të jashtëm grek, gjatë vizitës, por dhe pas këtij takimi, dua të sigurohem se çdokush në këtë shtet, me deklaratat dhe veprat e veta do të kontribuojë që ky takim të jetë i frytshëm dhe të përfundojë me sukses”.

“Maqedonia duhet të arrijë përparim në dialogun politik me vendet fqinje dhe ato anëtare në BE. Ekziston besimi i fuqishëm dhe bindja në Greqi, ashtu sikurse edhe këtu, dhe është roli im, por edhe i Bashkimit Evropian që të nxisim një atmosferë, e cila do të kontribuojë për arritjen e marrëveshjes që do të çojë kah zgjidhja e kontestit të emrit”
, ka deklaruar Howitt.

Ai, me këtë rast, ka apostrofuar edhe një herë nevojën për dyfishimin e përpjekjeve të vendit për t’i plotësuar kriteret politike të përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar, me theks të veçantë, sundimin e shtetit ligjor, si dhe sigurimin e shprehjes së lirë.

I pyetur për gjendjen e mediave në Maqedoni, që sipas raportit të “Reporterëve pa kufij” lë për të dëshiruar, Howitt tha se gjërat nuk duhet shikuar në dimensionin bardh e zi.

“Gjeneratat më të reja janë avangardë e proceseve, dhe ne e kuptojmë mirë frikën tuaj, por në këtë drejtim, do të theksoj se inkurajues është dialogu i instaluar ndërmjet gazetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Më duhet të theksoj se ndryshimet ligjore, të cilat janë vënë si detyrë nga Bashkimi Evropian, nuk paraqesin vetvetiu garanci për zhvillimin e demokracisë nëse ata nuk gjejnë zbatim në praktikë, përfshirë këtu edhe Ligjin e mediave”.

“Por, gjithsesi, këtu duhet theksuar dhe përgjegjësia që bie mbi gazetarët për të informuar në mënyrë profesionale dhe duke anashkaluar influencën e partive politike”,
është përgjigjur Howitt, duke theksuar se hapja e debatit nga ana e mediave për të gjitha çështjet që prekin interesat e qytetarëve, është nevojë e pashmangshme për zhvillimin e demokracisë në vend.

Nga ana tjetër, edhe zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve evropiane është zotuar para studentëve se dikasteri që drejton ai, po dhe të gjitha institucionet shtetërore, do të fokusohen në zbatimin e ligjeve evropiane në praktikë, dhe kujdes i veçantë do t`i kushtohet përforcimit të kapaciteteve të administratës.

Raportuesi i PE-së për Maqedoninë, Richard Howitt, të enjten është takuar dhe me liderin e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Pas takimit, Ahmeti ka thënë se nuk do të heqë dorë nga kërkesa e kandidatit konsensual për president në zgjedhjet e ardhshme.

"Ne parashtruam një ide. Ideja është ende në tryezë dhe nuk do të lëvizim nga ideja jonë. Ne presim që palët të reflektojnë për këtë propozim. Vendit i nevojitet kandidat që do të ishte i pranueshëm për të gjithë dhe njëherë e përgjithmonë ta mbyllim këtë kapitull, në të cilin ndonjëra nga palët e vënë në pikëpyetje zgjedhjen e presidentit", është shprehur Ahmeti.

Ai ka theksuar se të dyja palët, të cilët kanë legjitimitet te të dy komunitetet më të mëdha në vend, e ajo është BDI-ja te shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-ja te maqedonasit, duhet të ulen dhe të arrijnë marrëveshje konsensuale.

Po ashtu, edhe kontesti lidhur me çështjen e emrit dhe vështirësitë që paraqiten gjatë marrjes së datës, po edhe anëtarësimi në NATO, janë tema që gjithashtu janë shtruar në takimin Ahmeti - Howitt.
XS
SM
MD
LG