Ndërlidhjet

Lirohen mbi 200 protestues ukrainas nga burgjet


Ilustrim

Ilustrim

Opozita ukrainase thotë se të gjithë protestuesit e burgosur gjatë tre muajve të fundit të demonstratave anti-qeveritare janë liruar bazuar në ligjin e amnistisë.

Shtabi i përgjithshëm i Rezistencës Kombëtare, nën të cilin funksionojnë të tri partitë kryesore opozitare, njoftoi të premten se është liruar kontingjenti i fundit prej 234 të burgosurve.

Parlamenti ukrainas ka miratuar ligjin për amnisti në janar, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Refuzimi i presidentit Viktor Yanukovych për të nënshkruar një marrëveshje për përafrim me Bashkimin Evropian, zhyti Ukrainën në një valë protestash, të cilat më vonë edhe eskaluan në dhunë.

Në vend të perëndimit, Yanukovych atëbotë u përcaktua për lidhje më të afërta me Rusinë, e cila i akordoi edhe 15 miliardë dollarë kredi për ta nxjerr nga kriza ekonomike.

Kryeprokurori i Ukrainës, Viktor Pshonka tha të premten se në saje të ligjit për amnistinë, të gjitha ndjekjet penale kundër të arrestuarve dhe të burgosurve, do të hidhen poshtë.

Por, kjo me kusht, që protestuesit të lirojnë rrugët dhe të dalin nga ndërtesat e okupuara qeveritare, deri më 17 shkurt.

Opozita ka kërkuar lirim të pakushtëzuar të të gjithë të burgosurve, ndërsa ende nuk dihet nëse do të zmbrapsen nga rrugët, dhe lirojnë ndërtesat.
XS
SM
MD
LG