Ndërlidhjet

“Besimi i qytetarëve ndaj liderëve ka humbur dhe kjo është fatkeqësi e madhe dhe me pasoja”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë, së fundi, është raportuar që nafta për ngrohje në shkolla është me cilësi të dyshimtë, e cila rrezikon jetën e fëmijëve. Menjëherë pas këtij raportimi, përfaqësues të institucioneve në Kosovë filluan të japin vlerësime të ndryshme duke mos u pajtuar me njëri-tjetrin. Si ndikoi kjo tek opinioni?

SHEMSI REÇICA
Gjendja që u shkaktua tash për ngrohjet në shkollat fillore dhe të mesme, me të vërtetë ka krijuar dilema të mëdha dhe një huti të madhe te qytetarët, sidomos te qytetarët e Prishtinës, e veçanërisht te prindërit e nxënësve që shkojnë në këto shkolla.

Është interesant të thuhet që, më duket se është një fatkeqësi shumë e madhe që kohët e fundit në Kosovë përgjithësisht pothuajse çdo gjë është partizuar dhe çdo gjë është shndërruar në një luftë të partive dhe klaneve të ndryshme, pavarësisht efekteve dhe pasojave që mund të kenë te qytetarët.

Rasti i fundit flet më së miri. Për shembull, këtu kemi të bëjmë jo vetëm me pozitë dhe me opozitë, mirëpo kemi të bëjmë me opozitën që është në Prishtinë, që është kryetari i Komunës, i cili doli me shpjegimin e tij për gjendjen në ngrohjet e shkollave të mesme dhe fillore.

Ndërsa, në anën tjetër, dolën prapë zyrtarët që janë opozitë, të dy ministrive, dhe kontestuan atë që e tha kryetari i komunës. Do të thotë ndodhi një përplasje, do të thosha deri tash është një përplasje unikale këtu ndërmjet institucioneve tona në Kosovë dhe pasojat janë jashtëzakonisht të rënda te besueshmëria e qytetarit.

Do të thotë, besimi i qytetarit gjithnjë e më shumë po humb ndaj asaj që autoritetet zyrtare e thonë nëpërmjet medieve. Kishim prapë rezultate, kundër-rezultate, konstatimi i një rezultati, kontestimi i atij rezultati me të vërtetë unë nuk besoj që ndokush prej prindërve të nxënësve, po edhe qytetarëve, mund të rrijë i qetë. Pothuajse të gjithë janë shndërruar në vesh, edhe përpiqen të dëgjojnë dhe të marrin vesh sa më shpejt se çka po ndodh për arsye se janë krijuar dilema të mëdha: a t’i besohet kryetarit të komunës, që është një autoritet, është njeriu i parë i komunës i zgjedhur me vota të lira, apo t’iu besohet rezultateve të dy ministrive që gjithashtu janë legjitime dhe përfaqësojnë interesat e qytetarëve – ata kanë ardhur me vota në pushtet dhe, në anën tjetër, kemi edhe komentimet dhe interpretimet e këtyre firmave që e kanë bërë furnizimin me naftë të shkollave.

Domethënë, është krijuar një paqartësi shumë e madhe dhe unë besoj që krejt kjo po ndikon dhe po e trashë mosbesimin e qytetarit në zhvillimet në Kosovë dhe sidomos në institucionet e Kosovës.

Kjo, mendoj se është fatkeqësia më e madhe, për arsye se dihet që në Kosovë mungon shumëçka: mungon uji, mungon ngrohja, njerëzit nuk kanë punë, varfëria është e madhe, mirëpo në qoftë se humb edhe shpresa, edhe besimi, atëherë këto pasoja do të jenë shumëfish më të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë këtyre 15 vjetëve të pasluftës besueshmëria ndaj liderëve institucionalw ka rënë në nivel shumë të ulët, pra qytetarët nuk arrijnë t’i besojnë askujt dhe po ashtu nuk iu bën përshtypje se çfarë thonë liderët politikë. Çka ka ndikuar që të kemi këtë situatë?

SHEMSI REÇICA
Po keni shumë të drejtë në qoftë se u referohemi zhvillimeve të pasluftës në Kosovë, kur popullata që ishte shpërngulur nga Kosova, u kthye në mënyrë masive dhe në mënyrë të shpejtë. Madje, shumë nga mërgimtarët tanë që kishin vende të punës në perëndim, i braktisën ato vende dhe u kthyen këtu. Do të thotë që shpresat e tyre ishin jashtëzakonisht të mëdha. Besimi i tyre ishte jashtëzakonisht i madh për shkak se në Kosovë po ndodhte një mrekulli, për herë të parë Kosova po bëhej e lirë dhe për herë të parë Kosova do të qeverisej prej shqiptarëve, prej popullatës shumicë – ky ishte gëzim dhe entuziazëm shumë i madh.

Mirëpo, me kalimin e kohës, edhe praktika e vërtetoi, gjithashtu, se këto pritje të qytetarëve, edhe ky besim e kjo shpresë erdhën gradualisht duke u zbehur dhe sot mund të themi se ka ardhur në pikën kulmore, ose në pikën kritike të humbjes së besimit tek institucionet.

Domethënë nga një pikë fillestare, kur si objektiv nuk ishte kurrgjë reale, por njerëzit kishin shpresa dhe besim dhe u kthyen, tash kemi ardhur në atë pikën kur njerëzit po e shohin gjendjen, po e shohin realitetin në Kosovë dhe është shndërruar e kundërta. Tash njerëzit, sidomos të rinjtë sikur të kishin mundësi, do të largoheshin nga vendi. Ata nuk kanë më besim, nuk kanë shpresë dhe nuk shohin perspektivë këtu.

Kjo më duket që ka ndodhur dhe përgjegjësi për këtë, dhe sigurisht dhe doemos duhet të kenë institucionet e Kosovës dhe liderët, sidomos ata institucionalë, mirëpo edhe ata partiakë, për arsye se ata në njërën anë kanë dhënë premtime jashtëzakonisht të mëdha gjatë fushatave, ndërsa, në anën tjetër, pasi e kanë marrë pushtetin, kanë bërë pothuajse fare pak ose kanë bërë minimumin e tyre.

Por, ka edhe një mes të tretë, tash qytetarët po e shohin që njerëzit në qoftë se janë në pushtet, në qoftë se janë në institucione, qofshin ato lokale apo qendrore, ata janë pasuruar shumë shpejt dhe ata kanë siguruar jetën e tyre. Do të thotë në shumë segmente mund të duket dhe të konstatohet me saktësinë matematikore që përgjegjësia jashtëzakonisht e madhe është e institucioneve të Kosovës me të gjitha zhvillimet këtu.

Po e përmendi vetëm një shembull, fjala vjen tash kohët e fundit që ishte aktuale, krahas protestave të studentëve. Kur pritej për shembull, në fillim të këtij mandati, përfaqësues të institucioneve sot, patën premtuar që vizat do të hiqen brenda 18 muajsh – do të thotë ky ishte një premtim jashtëzakonisht i madh, një premtim shumë konkret që e mbajnë mend të gjithë qytetarët e Kosovës. Ndërsa, tash kur ishte Lunacek në Kosovë, deklaroi që çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të pritet (të bëhet) as brenda 3-4 vjetëve.

Pra, praktika për çdo ditë po e përgënjeshtron atë që po e thonë udhëheqësit tanë institucionalë dhe kjo është fatkeqësi e madhe. Kjo po ndikon që njerëzit gjithnjë e më shumë ta humbin besimin te deklaratat publike të liderëve tanë dhe po e shohin një farë perspektive të zymtë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka krijon kjo mosbesueshmëri e opinionit te liderët dhe si të kthehet ky besim që ishte dikur?

SHEMSI REÇICA
Në qoftë se bie besimi siç ka ndodhur tash, atëherë ky besim është jashtëzakonisht vështirë të konsolidohet dhe të shndërrohet në ribesim. Nuk pres që qytetari i Kosovës mund t’u besojë përsëri njerëzve që do t’i udhëheqin institucionet.

Për t’u kthyer besimi, për të ribesuar njerëzit në perspektivën në Kosovë, atëherë duhet të bëhen zhvillime dhe ndryshime në praktikë, në mënyrë që ata t’i shohin vetë këto ndryshime. Këto ndryshime ndoshta nuk mund t’i bëjë kjo klasë politike, mirëpo këto ndryshime janë të domosdoshme, dhe pasi të shihen këto ndryshime, atëherë mund të rilindë prapë besimi i qytetarit tek institucionet edhe te perspektiva në Kosovë.

Përndryshe, unë jam shumë i sigurt që me premtimet, cilat do qofshin ato dhe ngado që vijnë ato, nuk bëjnë kurrfarë pune në ngjalljen e besimit të qytetarit tek institucionet e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG