Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi - “përparim historik”


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit është arritur përparim historik në normalizimin e marrëdhënieve dhe është thelbësore që të vazhdojë i njëjti angazhim, ka thënë shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

“Marrëveshja e parë për parimet e normalizimit të marrëdhënieve, e arritur në prill të vitit të kaluar, ka qenë pikë kthese në marrëdhëniet e tyre. Zbatimi i saj ka përfshirë zgjedhje të suksesshme lokale në Kosovë dhe për herë të parë në veri të Kosovës, si dhe integrimin e të gjitha strukturave të sigurisë dhe gjyqësore në kornizën ligjore të Kosovës”, ka thënë Ashton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar për bashkëpunimin midis OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale.

“Përveç përfitimeve të qarta për të dyja palët, shpresojmë se ky dialog mund dhe duhet të jetë një frymëzim për ndryshime pozitive dhe për shtysa të reja në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor. Këtu, para së gjithash, mendoj për ngjarjet aktuale në Bosnjë e Hercegovinë”, ka thënë Ashton, raportojnë mediat serbe.
XS
SM
MD
LG