Ndërlidhjet

logo-print
Analistët politikë në Prishtinë, konsiderojnë se marrëveshja e arritur ndërmjet dy liderëve të dy partive më të mëdha në vend, PDK-së dhe LDK-së, që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të mbahen në gjysmën e parë të këtij viti, tregon se mandati qeveritar do të përfundojë para kohe.

Analisti politik Halil Matoshi vlerëson se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, do të ndikojnë që edhe subjektet e tjera të pajtohen që zgjedhjet të mbahen në qershorin e këtij viti.

“Që nga fillimi i një krize të lehtë, të them ashtu, në Kuvend dhe në Qeveri është thënë se zgjedhjet do të mbahen në qershor dhe duket se këta dy liderë do t’i prijnë një procesi, sepse nuk është asgjë definitive, por duket se këta do të ndikojnë që edhe të tjerët të pajtohen që zgjedhjet të mbahen në qershor”, thotë Matoshi.

Marrëveshja e dy kryetarëve të dy partive më të mëdha në Kosovë, ka lënë anash nismat opozitare për thirrjen e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë Thaçi.

Lidhur me këtë çështje, analisti Matoshi thotë se iniciativa e AAK-së ishte në një moment pa konsensus të partive politike opozitare.

“Iniciativa e AAK-se për rrëzimin e Qeverisë vjen në një moment pa konsensus të partive të tjera. Duket se nuk do të jetë shumë e rëndësishme se a do të kemi zgjedhje në mars apo në qershor”, thekson Matoshi.

Kurse, analisti tjetër, Leon Malazogu, duke folur për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, thotë se ato do të mbahen pa reformat e parapara. Sipas tij, nëse tentohet të bëhen reforma të shpejta, Kosova do të kritikohet nga ndërkombëtarët.

“Zgjedhjet, nëse mbahen shumë herët, pamundësojnë bërjen e reformave. Edhe me marrëveshjen që zgjedhjet të mbahen në qershor, nuk ka kohë për reforma, e nëse bëhen ndryshime të ndjeshme, tash është keq se do të vlerësohemi keq nga Bashkimi Evropian, sepse ekzistojnë disa parime që nuk guxohet të ndryshohen rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve”, vlerëson Malazogu për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, kryeministri Thaçi në rrjetit social Facebook, ka shkruar se është pajtuar me Isa Mustafën, kryetarin e LDK-së, që reforma zgjedhore, fillimisht duhet të përfundojë gjatë muajit mars.

Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash, nuk ka ndodhur asnjë reformë sa i takon ligjeve zgjedhore, pos disa tentimeve për diçka të tillë.

Megjithatë, deklaron Daka, nëse do të ketë në ndryshime ashtu siç thuhet në legjislacion, do të ketë disa vështirësi që ato ndryshime të harmonizohen shpejt.

“KQZ-ja është e gatshme t’i organizojë zgjedhjet. Ato zgjedhje do të jenë të parakohshme, do të jetë pak e vështirë që në të njëjtën kohë edhe të harmonizohen rregullat zgjedhore dhe të bëhet edukimi i votuesve lidhur me ndryshimet, trajnimi i stafit tonë. Por, nëse ndodh, ne e kemi obligim dhe nuk kemi tjetër rrugëdalje vetëm t’i organizojmë”, deklaron Daka.

Sidoqoftë, mbajtja e zgjedhje të parakohshme ashtu siç paralajmëron kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nënkupton edhe një miratim nga Kuvendi i Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG