Ndërlidhjet

Dështojnë negociatat për Sirinë, OKB kërkon falje


Lakhdar Brahimi
Lakhdar Brahimi
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për krizën në Siri, Lakhdar Brahimi, i ka kërkuar falje popullit sirian, pasi bisedimet e paqes në Gjenevë kanë përfunduar pa u bërë përparim.

Ai ka mbajtur të shtunën diskutimet e fundit me qeverinë dhe opozitën siriane, në përpjekje për t’iu dhënë fund përplasjeve midis tyre.

Brahimi ka thënë se pikë kryesore e debatit ka qenë qeveria, e cila ka refuzuar përsëri të flasë për qeverinë e trancizionit.

"Më vjen shumë, shumë keq dhe i kërkoj falje popullit sirian që ka shpresuar shumë se këtu do të ndodhë diçka”, është shprehur Brahimi.

Ai ka thënë se të dyja palët duhet të kthehen në vendet e tyre për konsultime dhe të mendojnë nëse duan që procesi të vazhdojë ose jo.

Brahimi ka theksuar se nuk është caktuar asnjë datë për ndonjë raund të ri të negociatave. Ai ka thënë se do të kërkojë tani konsultime me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, që janë sponsorë kryesorë të konferencës në Gjenevë, si dhe me Kombet e Bashkuara.

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka thënë se Uashingtoni është duke konsideruar “hapa ndërmjetsues” për të aplikuar presion mbi Qeverinë siriane dhe për të përmirësuar kushtet humanitare në të gjithë Sirinë.

“Nuk presim që kjo të zgjidhet për një kohë të shkurtër, andaj do të ndërmarrim disa hapa të menjëhershëm për të ndihmuar situatën humanitare atje. Do të jenë disa hapa të ndërmjetëm për të bërë më shumë presion mbi regjimin e Assadit. Do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët e interesuara për të shtyrë përpara një zgjidhje diplomatike”, ka thënë Obama.

Ai i ka bërë këto komente në Kaliforni, gjatë takimit me Mbretin e Jordanisë, Abudullahu II.

Raportet nga Siria thonë se forcat e qeverisë kanë bombarduar të shtunën pozicionet e rebëlëve pranë fshatit Jadouda, pasi një makinë bombë atje ka vrarë të premten dhjetëra persona.

E vetmja marrëveshje në negociatat për paqe në Siri është ajo që u lejon civilëve të lënë qytetin e rrethuar të Homsit dhe qasjen e ndihmave.

Përndryshe, bisedimet, që kanë nisur gjashtë ditë më parë, kanë dështuar të ngushtojnë hendekun midis Qeverisë së presidentit Bashar al-Assad dhe opozitës.
Korrespondentët thonë se së paku 5,000 njerëz besohet se kenë vdekur që nga raundi i parë i bisedimeve të Gjenevës, i cili ka nisur më 22 janar.

Konflikti në Siri ka marrë mbi 100,000 jetë njerëzish prejse ka shpërthyer në mars të vitit 2011. Rreth 9.5 milionë njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre.(v.tela)
XS
SM
MD
LG