Ndërlidhjet

Protesta në Shkup kundër devijimit të lumit Radika


Pamje nga protestat e së shtunës kundër devijimit të lumit Radika
Pamje nga protestat e së shtunës kundër devijimit të lumit Radika
Nën moton “Radika është e jona, asnjë pikë ujë nuk do ta japim”, të shtunën në Shkup qindra qytetarë nga Dibra dhe rajoni i Rekës së Gostivarit, protestuan në afërsi të sheshit “Skënderbeu” kundër devijimit të lumit Radika.

Protesta është mbajtur nën organizim të shoqatave qytetare të rajonit të Dibrës, Diasporës Dibrane, Shoqatave Ekologjike të Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë të sektorit civilë.

Bardhyl Marku nga Këshilli organizativ i protestës kundër devijimit të lumit Radika, tha se dibranët kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të projektit shkatërruese elektro-energjetik “Fusha e Llukovës” dhe “Ura e Boshkos”, ku sipas planeve qeveritare, duhet të ndërtohen në parkun nacional “Mavrova”.

”Në letrën e mbi 110 ekspertëve botërorë për mbrojtjen e ambientit jetësor, thuhet se digat e projektuara prishin idenë e parqeve ndërkombëtare duke shkelur të drejtat e përgjithshme të Bashkimit Evropian siç është direktiva ‘Natyra 2000’, direktivat evropiane për mbrojtjen e ujërave dhe shumë diga të tjera”.

“Madje, këta ekspertë, në letrën e tyre drejtuar financuesve të mundshëm të digave në fushë të Lukovës dhe Ura e Boshkut, kanë apostrofuar se me një rëndësi të veçantë është të mbrohen zonat me vlera të larta ekologjike dhe se Parku Kombëtar është me një domosdoshmëri të paevitueshme”,
u shpreh Marku.

Ai shtoi se ky lum paraqet jetë për rajonin e Dibrës dhe Rekës, dhe porositi se “Radika nuk është as e Qeverisë e as e ELEM-it, por Radika është e rekasve dhe do të mbetet ashtu siç është”.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të komunës së Dibrës, Bashkim Mashkulli, tha se me devijimin e lumit Radika, parashihet që një pjesë e Radikës të derdhet në lumin Vardar, i cili pastaj derdhet në Detin Egje, në njërën anë shkelen konventat ndërkombëtare për devijimin e ujërave dhe njëherësh, Dibrës i bëhet dëm i madh ekologjik dhe jetësor.

“Jam këtu në emër të Këshillit Komunal, i cili këshill pa asnjë votë kundër i tha ‘JO’ devijimit të lumit Radika. Jam këtu edhe në emër të kreut të komunës, i cili i tha ‘JO’ këtij projekti anti-dibran; jam këtu edhe në emër të të gjithë organizatave joqeveritare dhe të gjithë dibranëve në përgjithësi, të cilët janë kundër devijimit të lumit Radika sepse ky lum është sinonim i Dibrës. Radika është e ardhmja jonë, pa Radikën nuk ka edhe Dibër”, u shpreh Bashkim Mashkulli, kryetar i KK të Dibrës.

Kemi ardhur në Shkup për të protestuar, sepse nuk u besojmë deklarimeve të autoriteteve qeveritare, të cilat janë dykuptimëshe, u shpreh Munir Hoxha nga Peshkopia e Shqipërisë.

“Deklarimeve të qeveritarëve s’u besoj fare, as ekspertëve të Maqedonisë. Unë do të besoja vetëm sikur të angazhohen ekspertë të paanshëm, me përfaqësues nga të dy shtetet me përfaqësues nga sektori civil dhe përfaqësues ndërkombëtarë. Unë jam vetë një ekspert i mjedisit me dyzet vjet punë në këtë lëmi dhe habitem si ka mundësi që Qeveria e Maqedonisë që po bën punime në një park nacional siç është Parku i Mavrovës, duke shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit natyror”, theksoi Munir Hoxha.

Organizatorët e protestës thanë se protestat për të mbrojtur rrjedhën natyrore të lumit Radika, do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim në të gjitha qytetet e Maqedonisë, derisa të mos marrin konfirmim me shkrim nga Qeveria e Maqedonisë se do të heqë dorë nga projekti “Fusha e Llukovës”.
XS
SM
MD
LG