Ndërlidhjet

Shteti i ri, pa perspektivë për të rinjtë


Prishtina në 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë...
Prishtina në 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë...


Gjashtë-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shumicën e të rinjve i gjen të zhgënjyer dhe dëshpëruar me zhvillimet në vend, e sidomos me, siç thonë ata, mos krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe perspektivën e tyre.

Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se me shpalljen e pavarësisë së vendit më 17 Shkurt të vitit 2008, kanë pritur që gjendja në vend të ndryshojë për të mirë.

Por, sipas tyre, gjashtë vjet më pas, të rinjtë, pavarësisht përfundimit të studimeve, ballafaqohen me shkallën e lartë të papunësisë, devalvimin e sistemit arsimor, si dhe me mungesën e mundësive për hapësirë kulturore.

Shkumbin Bezea, një i ri, thotë se pas shpalljes së pavarësisë së vendit, pavarësisht pritjeve pozitive, nga zhvillimet e kohës nuk shihej në horizont se mund të kishte përmirësime të jetës së qytetareve, e veçanërisht të rinjve.

Siç thotë ai, për shkak të mungesës së perspektivës, pas shkollimit të mesëm, ka hapur një biznes të vogël, për të siguruar ekzistencën e familjes.

“Për mendimin tim, për këto 6 vjet nuk është bërë thuajse asgjë fare. Mbase ka pasur ndërtime, por për të rinjtë nuk po shoh eksperiencë të mirë. Më duket se ne vetëm po shkojmë duke u përmbytur edhe më shumë”.

“Qeveria i ka fajet më së shumti për këtë, sepse ata vetëm po e shohin interesin e vet. Të rinjtë po mbesin prapa në çdo aspekt. Te shkollat, te fakultetet është gjithçka me intervenime. Nëse unë, në çdo moment, me një biznes të vogël jam munduar t’ju ndihmoj disa familjeve skamnore, atëherë pse dikush më i madh nuk mundet të ndihmojë? Shteti duhet t’i ndihmojë dikujt që nuk ka”
, thotë Shkumbini.

Besnik Llapashtica, student në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë se 6 vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit, mund të vërehen të arriturat, por jo ato që të rinjtë kanë dëshiruar:

“Edhe për të rinjtë ka të arritura, por jo sa është dashur të bëhet. Kemi pritur punësim më të madh, sepse papunësia te ne është në përqindje goxha të lartë. Kryesorja është se e kryen fakultetin dhe s’ka punë. Ne do të dëshironim që të punonim më tepër për vendin tonë, të bënim më shumë, të jemi shtet i barabartë me shtetet evropiane, sepse ne nuk jemi shtet shumë i madh me sipërfaqe dhe mund t’ia arrijmë”.

Aida Shehu, po ashtu studente në Universitetin e Prishtinës, thotë se asgjë nga ajo që ka pritur 6 vjet më parë, nuk ka ndodhur për të rinjtë.

“Për momentin, kurrqysh fare. Nuk më duket që ka diçka në rregull. Si kemi pritur që ka për të ndryshuar çdo gjë pas pavarësisë, asgjë nuk ka ndërruar. Për mendimin tim është njëjtë. Papunësi e madhe. E përfundon shkollimin dhe rri në shtëpi, nuk ke çfarë të punosh”, pohon Aida.

Alban Gallopeni, nxënës i shkollës së mesme “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, thotë se 6 vjet pas pavarësimit të Kosovës, vërehen vetëm investime në infrastrukturë, por jo edhe për fushat ku të rinjtë kanë interesim.

“Shteti ende nuk ka bërë asgjë për të rinjtë. Duhet të hapen vende pune për të rinjtë, por ende nuk po ndërhyhet. Kanë punë të tjera, kanë për të bërë autostrada dhe gjëra të tjera që nuk kanë asnjë ndikim te ne, te të rinjtë dhe nxënësit. Në shkolla ka shumë pak aktivitete, por dhe nuk ka aq shumë interesim, sepse e dinë që humbin kohën kot”, thekson Albani.

Kreshnik Dragusha, student në kolegjin “Iliria” në Prishtinë, thotë se që nga pavarësimi i shtetit e deri më tash, të rinjtë nuk kanë gëzuar përkujdesjen. Si pasojë, siç thotë ai, ata mësyjnë të ikin jashtë vendit:

“Mund ta vëresh që shumica e të rinjve, mbi 90 për qind, kërkojnë sa më shpejt largimin prej këtij vendi, për të pasur kushte më të mira. Nuk jam kundër shtetit. E dua këtë vend, normalisht si të gjithë shqiptarët, por për të rinjtë asgjë nuk është bërë. Të hapen ‘klube’ për të rinjtë? Pse të hapen ato kur mund të hapen shumë gjëra tjera, për t’i afirmuar dhe të arsimohen më shumë? Kemi shumë pak hapësirë kulturore. Falë Zotit, ka plot të tillë që studiojnë, që mësojnë, por ka edhe shumë të tjerë që rrinë tërë ditën. E keni parë që kafiteritë në Prishtinë janë plot, sepse secili është i papunë”.

Por, Diturie Sejdiu, po ashtu studente në kolegjin “Iliria”. Mendon ndryshe. Ajo shpreh mendimin se të rinjtë duhet të jenë më shumë optimistë, pavarësisht rrethanave, në të cilat jetojnë 6 vjet që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

“Nuk ka edhe shumë ndryshime. Por, po shpresoj që do të ketë ndryshime për të mirë. I kisha lutur të gjithë të rinjtë që të mos ikin nga Kosova. Kush do të mbetej këtu? Kështu që, po mendoj se do të ketë shumë gjëra të mira pas viteve në vijim, sepse nuk mund të ndryshojë Kosova prej të keqes e menjëherë në të mirë. Por, ngadalë-dalë dhe mendoj që do të bëhet gjithçka mirë”, shprehet Dituria.

Labinot Bajrami, student i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se Kosova, për të rinjtë, nuk është ajo, të cilën e kanë pritur 6 vjet më parë. Sipas tij, është e dukshme që shteti i Kosovës i ka mundësitë dhe kushtet e vogla për përparim, ndërkohë që siç thotë ai, nepotizmi është fenomen që e bllokon depërtimin e të rinjve në fusha të ndryshme të jetës në vend.

“Politika gjithmonë arsyeton se kinse janë vetëm 6 vjet. I kemi premtimet e njëjta, retorikën e njëjtë. Nuk ka përparim dhe ka polarizim të qytetarëve edhe më shumë. Tash e 15 vjet jemi geto e Evropës. Të rinjtë janë kryesisht rrugëve, pa punë edhe pse e kryejnë shkollën. Ka rënë standardi në shkolla, në fakultete, me manipulime prej krerëve e më poshtë. Një pyetje thotë: ‘Çfarë ka bërë shteti dhe çfarë keni bërë ju për shtetin’? Unë mendoj që sot mjafton të mos bësh keq për shtetin dhe ajo është një e bëmë shumë e madhe për vetë shtetin”, thotë Labinoti.
XS
SM
MD
LG