Ndërlidhjet

Protestuesit ukrainas u japin fund pushtimeve


Euromaidan
Euromaidan
Protestuesit antiqeveritarë i kanë dhënë fund pushtimit të bashkisë së Kievit dhe të ndërtesave të tjera në kryeqytetin e Ukrainës.

Të pakënaqur me vendimin e presidentit Viktor Yanukovych për të refuzuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, protestuesit kanë mbajtur të pushtuar godinën e bashkisë për më shumë se dy muaj.

Autoritetet kanë premtuar se do të shfuqizojnë akuzat kundër demonstrusve nëse ata lirojnë të gjitha ndërtesat qeveritare deri të hënën. Udhëheqësit e protestave thonë se kanë përmbushur tashmë kushtet e qeverisë për amnisti.

Derisa protestuesit kanë lënë ndërtesën, nuk është raportuar për asnjë indicet.

Ambasadori i Zvicrës në Kiev, Christian Schoenenberg, ka hyrë në ndërtesë menjëherë, për të ndihmuar transferimin e saj nën kontrollon e autoriteteve.
Zvicra aktualisht mban presidencën e radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Janë dy hapa. Të dyja palët kanë bërë hapa drejt njëra-tjetrës, të dyja kanë bërë kompromis, pra jo vetëm protestuesit dhe jo vetëm bashkia e qytetit të Kievit”, ka thënë Schoenenberg për gazetarët në Kiev.

Udhëheqësit e protestuesve kanë thënë se disa prej tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së bashkisë.

“Ne duam revolucion të qetë, nuk duam dhunë. Por, nëse detyrohemi, jemi të gatshëm t’iu rikthehemi okupimeve”, ka thënë Ruslan Andreiko, njëri nga udhëheqësit e aktivistëve antiqeveritarë.

Vetë protestuesit, ndërkaq, nuk kanë qenë të kënaqur me vendimin për të liruar ndërtesat e qeverisë. Njëri prej tyre ka dhënë këtë deklaratë për agjencinë e lajmeve Reuters:

“Është e vështirë të konsiderohet fitore ose humbje, por për jetët e atyre që janë arrestuar në mënyrë të paligjshme, për jetët e njerëzve të pafajshëm, ndoshta ia vlen”.

Të premten, autoritetet kanë liruar 243 të burgosurit e fundit, të cilët janë arrestuar gjatë trazirave.

Yanukovych ka miratuar një ligj për amnisti këtë muaj dhe ka rënë dakord që të negociojë me opozitën, pasi së paku katër njerëz janë vrarë në protesta.

Protestat antiqeveritare në Ukrainë kanë nisur në nëntor, kur Yanukovych ka refuzuar marrëveshjen me BE-në, në favor të marrëdhënieve më të afërta me Rusinë, e cila ka mbizotëruar në Ukrainë për shekuj me radhë, deri në rënien e Bashkimit Sovjetik, më 1991. (v.tela)
XS
SM
MD
LG