Ndërlidhjet

logo-print

Festë me emocione të përziera


Në 17 shkurtin e vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, te qytetarët e Kosovës ishte një entuziazëm i madh se me shpalljen e pavarësisë do të këtë përmirësime të theksuara në të gjitha fushat, duke u nisur nga çështjet politike e deri te gjendja ekonomike dhe sociale.

Gjashtë vjet pas, qytetarët thonë se ndoshta nga entuziazmi i madh kishin harruar që me bërjen shtet, Kosova merrte mbi vete shumë përgjegjësi dhe obligime, që vështirë do t’i sfidonte.

Pritjet që ata kishin gjashtë vjet më parë, thonë se nuk janë realizuar të tërat, por disa prej tyre theksojnë se ka përparime të vogla në disa sektorë.

Ilmi Dervishi, 50 vjeç i cili kishte ardhur nga komuna e Gjilanit për të festuar në Prishtinë, ku po mbahen manifestimet shtetërore, vlerëson se në gjashtë vjetorin e pavarësisë ka pasur ngecje, por edhe përparime në shumë aspekte. Megjithatë, ai mendon se autoritetet e Kosovës kanë mundur të bëjnë shumë më shumë.

Kosova në këtë gjashtë vjetor në disa aspekte ka përparime, por ka ngecje në shumë gjëra që neve popullatës na duhen. Mungesa e ujit, mungesa e infrastrukturës në përgjithësi. Duka pasur parasysh kohën e mëhershme ka pasur përparime, por ka mundësi që të bëhet më shumë”, shprehet ai.

Për disa qytetarë, përveç infrastrukturës rrugore, e cila ka pasur mjaft investime gjatë këtyre viteve, në aspektet tjera Kosova ka shënuar ngecje.

Islam Mazerku, i cili ka ardhur nga Presheva në Kosovë për të festuar gjashtë vjetorin e pavarësisë, ecjet e Kosovës përgjatë këtyre viteve i përshkruan si hapat e një fëmije gjashtë vjeç, i cili sapo ka nisur shkollën.

“Ka ndryshime, por ka edhe ngecje, te gjyqësori, infrastruktura ka ecur mire, ekonomia ka ngecur. Është një shtet i vogël si një fëmijë gjashtë vjeçar si mund të ecë, ashtu edhe Kosova”, thotë Mazreku.

Qytetarët e Kosovës, shprehen mjaft të zhgënjyer në këtë gjashtë vjetor, sa i përket përmirësimit të kushteve ekonomike dhe sociale.

Thonë se punësimi mbetet sfidë për institucionet e Kosovës dhe se në këtë drejtim duhet të punohet, në të kundërtën, siç shprehen ata, është e pamundur të jetohet në këtë vend.

Shifrat zyrtare të punësisë dhe varfërisë gjatë këtyre viteve nuk kanë shënuar ndonjë rënie të madhe, ndërkohë që për shumë qytetarë thuhet se gjendja e tyre ekonomike dhe sociale vetëm sa është përkeqësuar.

Halim Saliu 40 vjeç punon si shitës ambulant. Ai shet flamuj dhe gjëra tjera që përmbajnë simbole kombëtare.

Salihu, shprehet mjaft i zhgënjyer, thotë se para gjashtë vjetësh së paku kishte pritur që do të gjente një punë dhe nuk do të punonte si shitës ambulant.

“Kosova edhe pas gjashtë viteve nuk është mirë, nuk ka punë nuk ka asgjë. Udhëheqësia jonë po punon vetëm për vete, ne kemi mbetur njëjtë si para gjashtë viteve. Nuk kam menduar se njëjtë do ta kryej këtë punë do të dal në rrugë për të punuar. Kam menduar se do t’i kem punët më mirë”
, thotë ai.

Në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, papunësia ishte mbi 43 për qind, 15 për qind e popullatës së përgjithshme jetonin në varfëri ekstreme, ndërkaq 45 për qind e popullsisë jetonin në varfëri relative.

Derisa, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të cilat flasin për vitin 2012 tregojnë se papunësia në Kosovë është 30.9 për qind. Ndërkaq, varfëria sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10 për qind.

Edhe Hatixhe Lahu thotë se autoritetet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në hapjen e vendeve të reja të punës

“Ka ndryshuar në mënyrë pozitive, por jo edhe aq shumë, Kosovës i nevojitet punësim dhe ka shumë gjëra tjera për të ndryshuar”, thekson ajo.

Ngjashëm, shprehet edhe Shaqir Berisha 45 vjeç. Thotë se për të nuk ka ndryshuar asgjë, ka pritur të punësohet, por që këtë nuk ka rritur ta gjejë akoma një vend pune

“Kam pritur më shumë është premtuar dhe ne kemi besuar. Kanë premtuar se pas shpalljes së Kosovës shtet do të përmirësohen kushte do të ketë hapje të vendeve të reja ët punës por që nuk ka ndodhur”, shton ai.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG