Ndërlidhjet

logo-print
Politikanët dhe analistët në Prishtinë, kanë mendime të ndryshme kur bëhet fjalë për imazhin e vendit në gjashtë vjet shtet.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, thonë se Kosova është një histori suksesi sa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike, një shtet që mbështetet në shtyllat e demokracisë, shoqërisë shumetnike dhe sekularizmit.

Ministri Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha për Radion Evropa e Lirë se falë punëve dhe reformave në aspektin e shtet ndërtimit të brendshëm, Kosova e ka konsoliduar pozitën e saj ndërkombëtare, jo vetëm në kuptim të marrjes së njohjeve dhe anëtarësimi e pranisë në organizata ndërkombëtare, por edhe shtrirjes së vazhdueshme të shërbimit të jashtëm diplomatik nëpër botë.

“Imazhi i Kosovës gjashtë vite pas është përmirësuar dukshëm dhe argument për këtë është pozicioni i shtetit tonë të ri në botë. Kosova është e përfaqësuar gjithandej nëpërmjet institucioneve të saj por edhe të qytetarëve, që individualisht dhe kolektivisht si shoqëri na bëjnë çdo ditë krenar me të arriturat e tyre".

"Kjo është ana tjetër e medaljes për Kosovën dhe qytetarët duhet të ndihen krenar me shtetin e tyre dhe të arriturat. 106 njohje janë 106 suksese në vetvete dhe aspirata për të tjera njohje dhe anëtarësim në BE, OKB e NATO janë aspiratë legjitime të kosovarëve”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai shtoi se projekti i pavarësisë së Kosovës ka qenë një projekt i paqes në Evropë pasi asnjëherë Ballkani nuk ka qenë më stabil politikisht se sa pas vitit 2008.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, mendon se imazhi i Kosovës, në sytë e botës, ende mbetet i zbehur, pavarësisht përpjekjeve për ta përmirësuar atë.

“Sot perceptimi i Kosovës në botë megjithatë është se Kosova është shtet në bërje e sipër, shtet i cili më të gjitha telashet dhe problemet, prapëseprapë po ndërtohet dhe po shkon në drejtimin e duhur. Sido që të jetë këto 3-4 vitet e fundi, imazhi i Kosovës, ka pësuar dhe nuk është ndërtuar më ritmin të cilin do të donim ta shihnim".

"Kjo në një pjesë të madhe edhe për fajin e vetë institucioneve të Kosovës, për fajin e vetë diplomacisë së Kosovës e cila ka arritur të bëjë fare pak, për të mos thënë gati asgjë këto 2-3 vejte e fundit sidomos”
, tha Hyseni.

Një nga faktorët që ka ndikuar negativisht në imazhin e Kosovës, sipas Hysenit, janë edhe raportet e ndryshme ndërkombëtare që flasin për korrupsion dhe krimin e organizuar në vend.

Sipas tij, derisa nuk ka luftimin të mirëfilltë të këtyre dukurive negative, Kosova do ta ketë imazhin e zymtë në botë.

“Absolutisht, është krimi i organizuar është korrupsioni si çështje që kanë ndikim thelbësor negative në imazhin e Kosovës. Kosova, do të duhej të bënte shumë ma shumë në këtë rrafsh mënyra më efikase është që lufta kundër krimit dhe korrupsionit nga përmendja e saj si frazë boshe të përkthehet në aksion konkret në aksion vendimtar e bindës".

"Dhe vetëm atëherë kur të japim prova të sakta dhe kur lufta kundër korrupsioni nuk mbetet vetëm në nivelin e frazës dhe stereotipit, po shndërrohet në aksion konkret, ky imazh do të filloj të përmirësohet”, theksoi Hyseni.

Edhe analisti i çështjeve politike Halil Matoshti, konsideron se imazhi i Kosovës është i dëmtuar, sidomos nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Objektivisht imazhi i Kosovës është goxha i dëmtuar, sidomos për shkak të korrupsionit të madh edhe krimit të organizuar. Unë mendoj se megjithatë pavarësia, përkatësisht afirmimi i Kosovës po vjen duke u forcuar”, tha Matoshi.

Sido që të jetë, drejtuesit e institucioneve kosovare krenohen veç tjerash edhe me anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kosovës gjithashtu i është hapur edhe perspektiva e kushtëzuar evropiane përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG