Ndërlidhjet

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në manifestimin qendror për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ku para tyre, ka parakaluar Forca e Sigurisë së Kosovës dhe janë dëgjuar fjalimet e udhëheqësve më të lartë shtetëror.

Parakalimin e FSK-së, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi si të fundit, pasi që në 7 vjetorin e pavarësisë, ai premtoi se Kosova do ta ketë Forcën e Armatosur me kapacitete mbrojtëse.

“Kjo është parada e fundit e nderimit të Ditës së Pavarësisë ku ne e shohim parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me emrin e saj të deritanishëm. Na ndan një kohë shumë e shkurtër, javë apo muaj nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Forca e re e Kosovës, ka thënë Thaçi, do t’i ketë kapacitetet e mbrojtjes dhe do të ketë një mandat të ri, madhësi dhe strukturën e re.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jetë të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe do të ndihmojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit në vend”, është shprehur Thaçi.

Ndërkohë, presidentja Atifete Jahjaga ka thënë 17 shkurti shënon historinë e pakthyeshme dhe të pamohueshme të shtetit të Kosovës.

Pavarësia e Kosovës, ka vijuar presidentja, është garantuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore.

“Këtë përjetësi e ndërtuan me idealin e tyre ata që bën luftën, të gjithë ata burra e gra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me komandantin legjendar, Adem Jasharin. Të gjithë ata intelektual e vizionar që i ngritën themelet e shtetit me presidentin dr.Ibrahim Rugova”, ka thënë Jahjaga.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson.

Ajo ka folur para masës në gjuhën shqipe dhe ka lexuar telegramin e urimit që presidenti Barak Obama, i drejtoi presidentes dhe popullit të Kosovës.

Ambasadorja amerikane tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin zhvillimin dhe rritjen e mëtejmë të Kosovës si vend i plotë, sovran i pavarur, shumë etnik dhe demokratik.

“Presidenti Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përparimin tuaj drejt integrimeve euroatlantike dhe për ndërtimin e të ardhmes më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ambasadorja Jacobson.

Ambasadorja Jacobson ka thënë po ashtu se një e arritur e madhe në vitin e fundit ishte marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sikurse që ishte edhe inicimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian.

Në Ditën e Pavarësisë mesazhet e tyre i kanë drejtuar edhe liderët opozitar. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se përkundër përparimeve shteti i Kosovës ka ngecur shumë në disa fusha.

“Mendoj se janë bërë përpjekje që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës, mendoj se kemi ngecur në shumë fusha, kemi ngecur në fushën ekonomike, në fushën e shtetit ligjor dhe integrimet evropiane. Por do të bëjmë përpjekje maksimale që të arrijmë që të barazohemi me të tjerët, që të tejkalojmë problemet të cilat ne i kemi”, ka thënë Mustafa.

Përndryshe, Ditën e Pavarësisë liderët e institucioneve si edhe ata të partive politike e kanë nisur me homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Për nder të kësaj dite është mbajtur edhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG