Ndërlidhjet

Koha për një Dejton të ri


Richard Holbrooke (majtas) dhe Carl Bildt gjatë konferencës me gazetarë në Sarajevë, 14 shtator 1996.

Richard Holbrooke (majtas) dhe Carl Bildt gjatë konferencës me gazetarë në Sarajevë, 14 shtator 1996.

Kur Richard Holbrooke dhe Carl Bildt kanë mbledhur myslimanët e Bosnjës, serbët dhe kroatët në një bazë ajrore të forcës amerikane, pranë Dejtonit në Ohajo, më 1995, duke i inkurajuar ata në një marrëveshje që do t’i jepte fund gjakderdhjes, bota ishte shumë mirënjohëse, shkruan gazeta Guardian.

Që atëherë, Marrëveshja e Dejtonit ka mbajtur një lloj paqeje në Bosnjë, por ka shenja se dobisë së saj po i vjen fundi. Javën e kaluar, pjesë të Sarajevës kanë qenë në flakë nga protestuesit që duan fundin e Dejtonit.

Sipas gazetës, problemi me këtë marrëveshje ka qenë se Holbrooke dhe Bildt në thelb kanë miratuar ndarjen e vendit, duke e balancuar atë me një strukturë kantoniale dhe federale dhe me një qeveri të dobët qendrore, të ndarë etnikisht.

Rezultati ka qenë një rrëmujë e administratave konkurruese, ku politikanët kanë shfrytëzuar mundësitë e shumta për patronazh dhe pasurim personal. Joefikasiteti dhe dështimi për të krijuar rritje ekonomike kanë çuar në falimentim fiskal dhe politik.

Në vitin 2008, Marrëveshja origjinale e Dejtonit është humbur nga Zyra e Presidencës së Bosnjës. “Nuk e di nëse ky lajm është i trishtueshëm apo qesharak”, ka thënë përfaqësuesi i lartë për Bosnjë e Hercegovinë. Më vonë, Bosnja ka siguruar një kopje të dokumentit themelues nga Franca.

Guardian shkruan se Bosnja tani është në gjendjen më të paralizuar që ka qenë ndonjëherë. Papunësia është 27.5 për qind te të rinjtë. Privatizimet e dyshimta kanë çuar në mbylljen e fabrikave, sidomos në qytetin e Tuzllës, ku edhe kanë nisur protestat e fundit.

BE-ja e lodhur ka reduktuar ndihmat. Derisa çdo gjë përkeqësohet për njerëzit e zakonshëm, elita e majme e politikanëve dhe miqve të tyre të biznesit sillet me makina Mercedes.

Ajo çfarë është inkurajuese në lidhje me protestuesit, edhe pse shumica e tyre janë myslimanë të Bosnjës, është se ata janë haptazi jonacionalistë dhe mbështeten në parimin se të gjithë boshnjakët janë viktima të një sistemi të marrë.

Ka biseda për zgjedhje të menjëhershme, por edhe shenja se, siç ka thënë sekretari i jashtëm britanik, William Hague, kjo është një thirrje zgjimi për BE-në, që këtë herë mund të merret parasysh, shkruan Guardian.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG