Ndërlidhjet

Ekonomia 6-vjeçare, pa përparime të theksuara


Fabrikë tekstili në Dragash, Kosovë.

Fabrikë tekstili në Dragash, Kosovë.

Në vitet e pavarësisë së Kosovës, ekonomia e vendit nuk ka shënuar ndonjë përparim të dukshëm. Madje, në këto gjashtë vjet, Kosova shpesh është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për gjendje jo të mirë biznesore. Këtu përjashtohet raporti i vitit të kaluar të Bankës Botërore, ku Kosova ka shënuar përparim për 10 pozita krahasuar më vitin paraprak.

Sipas ekspertëve për çështje ekonomike, numri i vogël i investitorëve ndërkombëtarë, burokracia dhe korrupsioni, penguan zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, kurse procesi i ngadalshëm në reformimin e ambientit të të bërit biznes, si dhe normat e larta të interesit, penguan zhvillimin e aktivitetit biznesor.

Ajo që më së shumti është zhgënjyese gjatë kësaj periudhe, është rënia e investimeve të huaja, investime këto për të cilat është pritur se do të rriten pas shpalljes së pavarësisë.

Edhe në këtë periudhë, aktiviteti më i preferuar në Kosovë, mbetet tregtia, sektor ky që nuk mund të konsiderohet si i leverdishëm për zhvillimin ekonomik sa prodhimtaria, që në Kosovë mbetet sektori më i pazhvilluar.

Drejtori i Instituti “Riinvest” Lumir Abdixhiku, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në vitet e pavarësisë, në përgjithësi është një ecje pozitiv, por kjo ecje ka trend shumë të ngadalshëm dhe shumë prej problemeve ekonomike të Kosovës, kanë filluar të mbesin të pazgjidhura.

“Ecjet negative kam përshtypje se janë shumë të pranishme, në radhë të parë paaftësia jonë për të ndërtuar shtet të pastër dhe të pakorruptuar. Pra, në këto gjashtë vjet ne kemi dështuar në tërësi të luftojmë korrupsionin. Ne, madje, kemi lejuar aq shumë zhvillimin e korrupsionit, sa në norma të prezencës, aferat korruptive janë shumë më të mëdha, më të shpeshta se sa para gjashtë vjetësh”, konsideron Abdixhiku.

Autoritetet kompetente gjatë kësaj periudhe nuk kanë arritur të adresojnë çështjen e papunësisë dhe fuqizimin e shtetit ligjor, thotë Abdixhiku

“Edhe pas gjashtë vjetësh prapë vazhdon të mbetet problemi kryesor në vend. Vazhdojmë të kemi norma të ulëta të punësimit, kemi rininë të papunë dhe kemi ecje e përgjithshme të sektorit privat për të krijuar vende të punës të pamjaftueshme".

“Gjithashtu, nuk kemi arritur të adresojmë, të fuqizojmë shtetin ligjor, gjykatat tona vazhdojnë të jenë të ndikuara politikisht, vazhdojnë të mos adresojnë problemet kryesore të burokracisë, korrupsionit, aferave të ndryshme të prokurimit publik, të politizimit të skajshëm të çështjeve dhe të mosaftësisë së përgjithshme për të bërë diçka më tepër në këtë drejtim”,
vlerëson Abdixhiku.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë konsiderojnë se në vitet e fundit, në sektorin ekonomik ka pasur përmirësime.

Bernard Nikaj, ushtrues detyre i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë për Radion Evropa e Lirë, përmend përmirësimet sa i përket marrëdhënieve tregtare, nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare me vendet evropiane dhe zgjidhjen e çështjes së vulave me Serbinë.

“Nëse flasim për ambient të biznesit, kemi përparuar 40 vende, në raportin e Bankës Botërore ‘Të bërit biznes’. Nëse flasim për problemet tjera të bizneseve, siç është qasja në financa, është rritur numri i fondeve garantuese, posaçërisht te Ministria e Bujqësisë. Ne, si ministri, vetëm javën e kaluar kemi nënshkruar një fond prej katër milionë eurosh – grante për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, me fokus të veçantë, në ndërmarrjet që eksportojnë dhe prodhojnë ”, thekson Nikaj.

Por, udhëheqësi i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se në gjashtë vjetët e shtetësisë, autoritetet kompetente kanë pasur mundësi që të punojnë më tepër në zhvillimin ekonomik.

Ai konsideron se krijimi i sigurisë dhe funksionimi i shtetit ligjor, do të mundësonte progres në ekonomi.

“Për shkak të ngecjes së këtyre dy sektorëve, ku përgjegjës kryesor janë strukturat qeveritare dhe askush tjetër, atëherë nuk ka edhe zhvillim ekonomik. Po e vërejmë, investimet e huaja janë në rënie, procesi i privatizimit nuk ka sjellë ndonjë zhvillim, nuk ka pasur ecje, të cilat i ka sjell gjithkund ristrukturimi pronësor i ndërmarrjeve. Dhe tjetra, ende investitorët nuk kanë siguri për zbatimin e kontratës apo ka pasur raste kur ata kanë qenë të rrezikuar edhe fizikisht”, përmend Rexhepi.

Në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, papunësia ishte mbi 43 për qind, 15 për qind e popullatës së përgjithshme jetonin në varfëri ekstreme, ndërkaq 45 për qind e popullsisë jetonin në varfëri relative.

Derisa, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2012 tregojnë se papunësia në Kosovë është 30.9 për qind. Ndërkaq, varfëria sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10 për qind.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG