Ndërlidhjet

Shqipëria uron Kosovën për pavarësinë


Ilustrim
Ilustrim
Kosova feston 6-vjetorin e pavarësisë. Urimeve të kësaj ditë u bashkohen edhe urimet e përfaqësuesve të shtetit e politikës shqiptare.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në urimin drejtuar presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mes të tjerash thotë:

“E nderuar zonja presidente, kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht Ditën e Pavarësisë, juve dhe gjithë popullit të Kosovës! Republika e Shqipërisë u gëzohet arritjeve të mëdha shtet-konsoliduese, angazhimeve rajonale dhe evropiane që Kosova ka përmbushur përgjatë këtyre gjashtë viteve modeste, si edhe garanton mbështetjen e vazhdueshme në vazhdimësinë e mëtejshme të përballjes së këtyre sfidave”.

”Duke ju shprehur konsideratën time më të lartë, si edhe dëshirën për t`ju mikpritur së afërmi në Tiranë, ju lutem pranoni edhe njëherë urimet e mia më të ngrohta e të sinqerta për këtë festë të shënuar mbarëshqiptare”
, thuhet në telegramin e urimit të presidentit Nishani.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama, ka uruar me një fjali:

“Gëzuar ditën e bekuar të Pavarësisë së Kosovës”.

Në urimin për popullin e Kosovës, përmes Radios Evropa e Lirë, kryetari i Partisë Demokratike dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha:

“Unë uroj që ky 6-vjetor i Pavarësisë të shërbejë si një reflektim pozitiv, për hapat e mëdhenj, gjigantë do të thosha, që Kosova ka hedhur në këtë dekadë të fundit, duke konsoliduar lirinë e fituar me gjak dhe sakrificë; duke formalizuar Pavarësinë e dëshiruar dhe projektuar nga elita e mendjes, e shpirtit dhe kurajës të shqiptarëve të Kosovës dhe duke projektuar të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Kosovës, si projekti që garanton të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës, pavarësisht prej përkatësisë etnike”.

Më tej në urimin e tij Basha thekson pavarësinë “si projekt i zemrës, i shqiptarëve të Kosovës dhe i kombit shqiptar kudo në Ballkan, dhe si projekti që sendërton të gjitha rrethanat për të përparuar me ato çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve të Kosovës që kanë të bëjnë me një klimë më të mirë ekonomike, me mundësi më të mëdha për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për punësim dhe për mirëqenie, dhe me një perspektivë sa më të mirë për rininë e Kosovës, e cila është demonstruar, padyshim si një rini me kapacitete dhe vlera evropiane gjatë periudhave të transformimeve të mëdha që Kosova ka njohur në këto vite të lirisë dhe këto 6 vite të Pavarësisë”.

Nisur nga nga njohjet që ka marrë Kosova si shtet, Basha shprehet i bindur në udhëtimin e qartë të Kosovës drejt progresit si shembull i mirë dhe krenari për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në Luginën e Preshevës, Mal të Zi”.
Kosova e Pavarur, sipas Bashës, në të njëjtën kohë është edhe garancia më e mirë për evropianizimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, ish-kryeministri Sali Berisha, duke uruar gjithë popullin e Kosovës, Pavarësinë e Kosovës e ka quajtur veprën më të ndritur të kombit shqiptar.

"Gëzuar Kosovë përvjetorin e 6-të të Pavarësisë, veprës më të ndritur të bijve dhe bijave tuaja dhe të kombit shqiptar! Nderim përjetë arkitektit te Kosovës së pavarur Presidentit Rugova, komandantit legjendar, kryeheroit të kombit Adem Jashari dhe të gjithë atyre që vendosen rininë, jetën, në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Mirënjohje të përjetshme SHBA, NATO-s dhe vendeve anëtare për çlirimin e saj. Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar!“
XS
SM
MD
LG