Ndërlidhjet

Guardian: Bosnja - imazh i tmerrshëm i së ardhmes së Evropës


Saktësisht 30 vjet pasi flaka olimpike ishte ndezur në Sarajevë, më 1984, qyteti ishte përsëri në flakë, shkruan gazeta Guradian.

Në javët e fundit, protestuesit kanë sulmuar ndërtesat e qeverisë, si pasojë e zemërimit të tyre me situatën sociale, varfërinë e shfrenuar, ekonominë në venitje dhe jetën e stagnuar shoqërore dhe politike.

Sipas gazetës, flaka olimpike ishte flakë e prosperitetit, paqes dhe mundësive të pafundme.

Në atë kohë, Sarajeva po projektonte një imazh që Bashkimi Evropian e donte për shtetet e tij anëtare: i begattë, i ndryshëm, laik, me industri funksionale, barazi shoqërore dhe rritje të qëndrueshme.

Por, BE-ja ka dështuar ta jetësojë këtë ambicie.

Guardian kujton edhe një skenë nga e kaluara. Dhjetë vjet pas Olimpiadës, Sarajava është shkatërruar; ka pasur atë imazh, për të cilin Evropa ka menduar se ka mbetur pas: një qytet i rrethuar dhe rrënuar, viktimë e nacionalizmit të rilindur dhe sektarizmit, me kampe të përqendrimit dhe varreza masive. Evropa ka vëzhguar pa bërë asgjë.

Tani, vijon artikulli, Sarajeva dhe Bosnja mbajnë përsëri një pasqyrë për Evropën, për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Qytetet në Bosnjë ngjajnë me Londrën në vitin 2011 dhe periferitë e Parisit më 2005: një shpërthim i zemërimit dhe shkatërrimit anarkik të të gjitha simboleve politike, sociale dhe ekonomike.

Gati 20 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, duket se elitat lokale dhe lojtarët ndërkombëtarë kanë arritur pajtim vetëm në një pikë: si të vendosin kapitalizmin në vend sa më shpejt. Megjithatë, është privatizimi masiv që ka çuar në de-industrializim dhe varësi nga mallrat e importuara.

Rezultati është se elitat etno-nacionaliste, në masë të madhe përgjegjëse për luftën, janë shpërblyer në paqe jo vetëm me ndarjen etnike, por po ashtu me gjithë pasurinë e territoreve që kontrollojnë.

Kjo ka qenë elita që komuniteti ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, përmes politikanëve të tyre margjinalë të dërguar si “përfaqësues të lartë”, e ka trajtuar si partner kryesor. Qytetarët janë mbajtur nën kontroll, shkruan Guardian.

Por, sipas gazetës, ka një dallim të madh me trazirat e para në qytete të tjera evropiane.

Ky është vendi ku Bosnja flet direkt me telashet e Evropës: ky nuk është rebelim i grupeve të diskriminuara dhe të kufizuara. Është rebelim i gjithë popullsisë që ka qenë subjekt i varfërimit ekonomik, shkatërrimit social dhe mjerimit politik.

Në këtë, Bosnja është një imazh i së ardhmes së Evropës: popullatë e papërmbajtshme dhe e rraskapitur nga masat e kursimit, një shtet pa perspektivë për rritje dhe i udhëhequr nga elita të dyshimta.

Guardian shkruan se Bosnja është duke treguar një skenar të trazirave në vendet e tjera evropiane, por edhe një mënyrë për të dalë nga ato, përmes luftës së qytetarëve të saj për drejtësi sociale, barazi dhe demokraci.

Në fakt, Bosnja është duke ofruar një imazh që Evropa duhet ta përvetësojë, për të mos rënë përsëri në fatkeqësinë e një shekulli më parë, kur vrasja e Franz Ferdinandit në Sarajevë ka shënuar fillimin e Luftës së Parë Botërore. Evropa nuk ka dëgjuar atëherë, ashtu siç nuk ka përcjellë as imazhin e flakës olimpike në Sarajevë.

A do të dështojë edhe tani të kuptojë mesazhin e qytetarëve të Bosnjës? A do të angazhohet Evropa që të shuajë këtë flakë, për të parë shpërthimin e saj në një cep tjetër të kontinentit, kur mund të jetë shumë vonë, pyetet gazeta Gurdian.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG