Ndërlidhjet

Forcat e Armatosura të Kosovës për të zëvendësuar KFOR-in


FSK

FSK

Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen gradualisht brenda një periudhe prej 5 deri në 10 vitet e ardhshme, parashohin ekspertët e çështjeve ushtarake dhe sigurisë.

Me rritjen e tyre graduale, këto forca do të zëvendësojnë KFOR-in në momentin kur NATO të vendos për largimin e trupave paqeruajtëse nga Kosova.

Ekspertët rikujtojnë se Kosova tashmë ka humbur rreth një vit e gjysmë me formimin e fillestar të Forcave të Armatosura.

Por, kjo zvarritje parashihet se mund të vazhdoj edhe më tutje, nëse qeveria nuk procedon për miratim në Kuvend Ligjin me të cilin do të formohej kjo forcë.

Analizat e ekspertëve, pasojnë deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi i cili gjatë manifestimit për Ditën e Pavarësisë tha se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është çështje javësh apo muajsh.

I gjithë zhvillimi i Forcave të Armatosura parashihet se do të shkoj në koordinim të plotë me NATO-n, siç ndodhi edhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila i ka paraprirë krijimit të komponentës mbrojtëse.

Ramadan Qehaja, ekspert i çështjeve ushtarake dhe sigurisë thotë se termi Forcat e Armatosura të Kosovës që përmendi kryeministri tregon se nuk ka mund të përdoret emri ushtri e Kosovës, pasi që mund të ketë pasur edhe presione ndërkombëtare.

“Ju e dini që ne për shkaqe ekonomike nuk mund të formojmë një forcë shumë të madhe të armatosur, sepse ka probleme, nemiten para, investime, blerje e tjera. Po ashtu nuk ka mund të quhet ushtri sepse presionet kanë qenë shumë të mëdha, konkretisht nga ato pesë shtete që nuk e kanë pranuar Kosovën e që janë anëtar fuqiplotë të NATO-s dhe disa çështje tjetra politike që i kemi pasur me Serbinë e tjera”, ka thënë Qehaja.

Aktualisht përgjegjësinë për kufirin dhe mbrojtjen e territorit të Kosovës e ka forca shumëkombëshe e KFOR-it.

Gjenerali Qehaja thotë se Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen gradualisht në mënyrë që me largimin e KFOR-it t’i marrin përgjegjësitë mbrojtëse nga forca shumëkombëshe.

“Ne jemi me vonesë prej 1 vit e gjysmë e ndoshta edhe dy vjeçare. Do të thotë ne duhet që tani ta bëjmë strukturën adekuate të kësaj force të armatosur se si do të duket ajo për nevojat tona vetëmbrojtëse apo më mirë thënë të mbrojtjes së territorit të Republikës së Kosovës. Do të thotë doktrinë ushtarake mbrojtëse e jo sulmuese”, ka vlerësuar Qehaja.

Ndërkaq Naim Maloku, po ashtu ekspert i çështjeve ushtarake dhe sigurisë thotë se hapi i parë që qeveria duhet të bëjë është procedimi i ligjit për në Kuvendin e Kosovës, pasi që pa ligj nuk mund të formohet ketë shndërrim të FSK-së aktuale në Forcat e Mbrojtjes së Kosovës.

Ai parasheh që i gjithë procesi të kalojë në harmonizim dhe marrëveshje me NATO-n.

Nëse Kosova do të bëhej anëtare e NATO-s atëherë ai parasheh se do të kishte një marrëveshje edhe në lidhje me sigurinë e territorit dhe kufirit.

“Do të varet shumë edhe plani i NATO-s, përkatësisht se a do të bëhet Kosova anëtare e NATO-s, për cilën fazë dhe kur do të bëhet. E nëse po, atëherë në marrëveshje me NATO-n, sikurse edhe vendet tjera anëtare, NATO e merr përgjegjësinë e sigurisë së kufijve të jashtëm të atij shteti. Pra, gjithmonë me zhvillimin e ushtrisë së ardhshme duhet të ketë koordinime me NATO-n”, ka thënë Maloku.

Një sfidë e vazhdueshme për shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës paraqet pjesa veriore e banuar me shumicë serbe ku strukturat e Serbisë vazhdojnë të mbeten të pranishme.

Në këtë pjesë, siguria e përgjithshme garantohet nga KFOR-i dhe EULEX-i.

Por, me përfundimin e mandatit të tyre, Naim Maloku beson se në atë kohë, përgjegjësia për sigurinë do t’u kaloj institucioneve të Kosovës.

Sa i përket rolit të Serbisë në atë pjesë, ai thotë se NATO, mund t’i bëjë një përkufizim rreth kapaciteteve edhe këtij shteti, ngjashëm siç ka vepruar me disa vende tjera të rajonit.

“Pas zgjedhjeve në Serbi do të varet edhe çfarë rruge do të merr Serbia. Në qoftë se e merr rugën e integrimeve euroatlantike atëherë normalisht që edhe NATO do t’ia përkufizon Serbisë kapacitetet ushtarake që duhet t’i ketë Serbia. Kështu që mendoj se në kohën kur KFOR-i planifikon të tërhiqet nga Kosova atëherë praktikisht atë zbrazëti që do të lë KFOR-i në veri, duhet ta plotësojë Forca e ardhshme e Kosovës”, ka deklaruar Maloku.

Në bazë të numrit të banorëve, hapësirës së territorit të Kosovës, mundësive buxhetori dhe vlerësimit të rrezikshmërisë, ekspertët parashohin që Forcat e Armatosura të Kosovës për dhjetë vitet e ardhshme mund të kenë nga 3.500 deri në 4. 000 pjesëtarë në kuadër të një këmbësorie të lehtë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG