Ndërlidhjet

Të paktën 13 të vdekur nga luftimet në Kiev


Ilustrim
Ilustrim
Protestuesit anti-qeveritar janë përleshur me policinë speciale në Kiev të martën mbrëma, në valën më të dhunshme që ka goditur kryeqytetin ukrainas në javët e fundit.

Autoritetet ukrainase thonë se gjashtë oficer policie janë vrarë në kryeqytet më 18 shkurt, dhe mbi 100 të tjerë janë lënduar, prej të cilëve 40 thotë se janë plagosur me armë zjarri.

Raportet e mëhershme sugjerojnë se të paktën shtatë civilë janë vrarë, ndërsa opozitarët pretendojnë se mbi 150 civilë janë lënduar, në mesin e të cilëve 30 janë në gjendje kritike, pas plagëve të marra me armë zjarri.

Zyrtarët shtetëror kanë kërcënuar me hapa “të rrezikshëm” nëse protestat vazhdojnë të sjellin kaos në rrugët e Kievit, kurse policia ka përforcuar pozicionet e veta në afërsi të turmës së protestuesve që po djegin barrikadat në sheshin e Pavarësisë, që ka shërbyer si shtab i tyre gjatë tre muajve të protestave anti-qeveritare.

Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Viktor Pshonka ka paralajmëruar përmes televizionit shtetëror se marshi i opozitës është “shndërruar në një konfrontim të armatosur”.

Ai ka shtuar se “liderët e opozitës duhet të marrin përgjegjësinë për të gjitha ato që kanë ndodhur sot në rrugët e Kievit”.

“Organizatorët e trazirave do të mbahen përgjegjës”, ka shtuar ai.

Zyrtarët amerikan dhe evropian kanë shprehur shqetësimet e tyre të thella për rrjedhën tragjike të ngjarjeve në Kiev, ndërsa kanë bërë thirrje për ndërprerje të dhunës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev i ka paralajmëruar të gjithë shtetasit amerikan që janë momentalisht në kryeqytetin ukrainas, që të qëndrojnë brenda shtëpive/banesave të tyre.
XS
SM
MD
LG