Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Pritje jo të mëdha nga vizita e ministrit grek


Evangelos Venizelos

Evangelos Venizelos

Vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos në Maqedoni në cilësinë e vendit kryesues me Bashkimin Evropian nuk do të sjell asnjë ndryshim në pozicionet e palëve lidhur me çështjen e emrit, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

Vizita, sipas profesorit Stevo Pendarovski, është thjesht protokollare dhe si e tillë nuk ka të bëjnë me emrin, por edhe nëse kontesti hapet si çështje në bisedimet dy palëshe, ai thotë se Venizelos do të përsërisë qëndrimet e palëkundura të palës greke.

“Nuk mund të presim as edhe një hap pozitiv lidhur me problemin e madh që kemi me Greqinë për çështjen e emrit, pasi Venizeloi vjen në vizitë protokollare në Maqedoni, e që ndërlidhet me kryesimin gjashtë mujor të Greqisë me BE-në. Pra, nuk do të ketë asnjë lëvizje, qëndrimi palës greke dihet sikur që dihet ai i palës maqedonase. Thjesht, të dyja palët janë të interesuar që kjo vizitë të përfundoj sa më parë“, thotë Pendarovski.

Shefi i diplomacisë greke, Venizelos në Maqedoni vjen pas vizitave të realizuara në Beograd dhe Prishtinë.

“Së pari më duhet të them se Venizelos vjen në Shkup pasi ishte i detyruar. Fakti që ai zbret në Prishtinë dhe jo në aeroportin e Shkupit, flet gjithçka. Atij i pengon emri i aeroportit Alekandri i Madh andaj edhe ka zgjedhur mënyrën tjetër për të ardhur në Maqedoni. Duke e nisur nga kjo, nuk pres asgjë nga vizita e tij".

"Ai edhe nëse ndalet te çështja e emrit, do të përsëris qëndrimet e palës greke të cilat mbeten të pandryshuara lidhur me kërkesën për ndryshimin e emrit, që për ne janë të papranueshme. Megjithatë, mirë është që realizohet kjo vizitë, që edhe autoritetet tonë të thonë qëndrimin e tyre për këtë çështje“, thotë Risto Nikovski, ish ambasador i Maqedonisë në NATO.

Ndërkohë, Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë vlerëson se qasja e institucioneve gjatë vizitës së kryesuesit të Këshillit të Ministrave të BE-së, Venizelos, duhet të jetë korrekte meqë një qasje e tillë do të shihej me sy të mirë nga komuniteti ndërkombëtar.

“Duhet shfrytëzuar rasti që me një fjalorë politik i cili nëse jo për Greqinë shumë i kapshën, por më shumë të jetë për faktorin ndërkombëtar, respektivisht për BE-në dhe NATO-n sepse Maqedonia megjithatë është shteti i cili aspiron të fillon bisedimet me BE-në. Venizelos do të fla për nevojën e përmbushjes së reformave, por nëse provokohet për çështjen e emrit, atëherë përgjigja e tij do të jetë në kuadër të vijave të kuqe të ndërtuara qysh në koha nga udhëheqësia e Greqisë“, thotë Ismet Ramadani.

Ai shton se e keqja më e madhe do të ndodhte nëse gjatë vizitës në Shkup, Venizelos do të provokohej nga qarqe të caktuara, ashtu siç u paralajmërua në opinion.

Në fakt, një grup intelektualësh të grumbulluar pranë “manifestit maqedonas“, i kanë bërë thirrje autoriteteve shtetërore që shefin e diplomacisë greke të mos e presin me nderime shtetërore, por thjesht sikur takimet joformale edhe atë nga drejtues të niveleve të ulëta të institucioneve.

Madje, nga “manifesti maqedonas“ kanë paralajmëruar edhe veprime tjera, por pa saktësuar se për çfarë aktivitetesh mendojnë.
XS
SM
MD
LG