Ndërlidhjet

New York Times: Godo arrin në Sarajevë


Një djalë, me zë të rëndë, luante Samuel Beckett-in në serbo-kroatisht. “Zoti Godo ka kërkuar nga unë t’ju them se nuk do të vijë këtë mbrëmje, por sigurisht nesër”.

Ishte viti 1993 në Sarajevë, kujton gazeta New York Times. Jashtë dëgjoheshin vetëm zhurmat e automjeteve të Kombeve të Bashkuara dhe në distancë shpërthimet e mortajave.

Skena e shfaqjes “Duke pritur Godonë” ishte menaxhuar nga Susan Sontag dhe zgjedhja e saj ishte me vend: pavarësisht pranisë së Kombeve të Bashkuara, vendi i rrënuar nga lufta dukej sikur priste për një rezolutë që nuk do të arrinte kurrë.

Tashmë 20 vjet më vonë, Bosnja dhe Hercegovina është rrënuar edhe një herë nga grindjet, por këtë herë ato janë ndryshe, shkruan New York Times. Të zemëruar me korrupsion, mosveprim politik, paga të papaguara dhe 60 për qind papunësi te të rinjtë, punëtorët kanë nisur një protestë në qytetin e Tuzllës më 4 shkurt. Brenda ditësh, trazirat janë përhapur në gjithë vendin; ndërtesave qeveritare u është vënë flaka.

New York Times shkruan se protestuesit nuk janë duke pushtuar vetëm rrugë dhe sheshe publike, por duke organizuar edhe takime për të krijuar qeveri alternative.

Në Sarajevë, një mbledhje e tillë është zhvilluar në qendrën rinore, e cila para luftërave të viteve 1990 ka qenë një nga klubet më të njohura, të stilit perëndimor, në Jugosllavi. Gjatë luftës ai është goditur nga predhat e artilerisë.

Tani, mbi 1,000 njerëz – nëna pa punë, ish-ushtarakë, profesorë, studentë – janë mbledhur këtu për të diskutuar të ardhmen e vendit.

Pas orëve të diskutimit, shkruan New York Times, pjesëmarrësit kanë rënë dakord për të ngritur një qeveri krejtësisht të re, për të zvogëluar pagat dhe përfitimet e politikanëve dhe për të frenuar procesin e privatizimit.

Në të njëjtën ditë, kujton gazeta, një kuvend në qytetin e Tuzllës ka detyruar qeverinë lokale që të përmbushë një nga kërkesat e tij: të eliminojë praktikën e të paguarit të “bukës së bardhë”, ose të pagave të politikanëve pasi ata lënë zyrën, duke kursyer kështu rreth 700,000 dollarë në vit, të mjaftueshëm për të mbuluar rreth 130 pensione mesatare në vit.

Përveç këtyre fitoreve të vogla, por të rëndësishme, kuvendet e popullit kanë pasur sukses edhe në atë që komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria trepalëshe kanë dështuar gjatë 20 vjetëve të kaluar: të kapërcejnë përçarjet midis kroatëve, serbëve dhe boshnjakëve.

Këto kuvende po tërheqin gjithnjë e më shumë njerëz dhe tani janë pjesë e rutinës së përditshme, shkruan New York Times. Gjatë ditës, njerëzit protestojnë në rrugë dhe pas protestave mblidhen në kuvende.

Në vend se të presin Godonë – që për zonjën Sontag ka qenë komuniteti ndërkombëtar që është dashur të ndalojë luftën; ndërsa, sot është Bashkimi Evropian që duhet të sjellë fundin e dëshpërimit ekonomik – ata kanë marrë të ardhmen në duart e tyre.

Por, ndryshe nga vitet 1990, kur veprimi ndërkombëtar ka qenë e vetmja zgjidhje, sot njerëzit janë të pa interesuar për ndërhyrjen e Bashkimit Evropian.

Kur Valentin Inzko, përfaqësuesi i lartë i bllokut për Bosnjën, ka thënë se trazirat mund të kërkojnë trupa ndërkombëtare për t’i shuar ato, protestuesit e kanë sulmuar edhe atë, shkruan New York Times.

Sigurisht se cinikët mund të shtrojnë pyetjen legjitime: Çfarë ka ndodhur pas Pranverës Arabe? Çfarë ka ndodhur pas pushtimit të Wall Street-it?

Dhe, përgjigjja mund të tingëllojë zhgënjyese për të gjithë ata që shpresojnë në këto protesta: Në Egjipt, fillimisht ka qenë një Vëllazëri e fuqishme Myslimane dhe pastaj sërish sundim ushtarak; në Shtetet e Bashkuara vazhdon i njëjti sistem financiar. Përse Bosnja dhe Hercegovina do të ishte ndryshe?

Këtë herë, vijon artikulli, protestuesit nuk janë kundër një diktature ushtarake apo hegjemoni financiar, por një qeverie të konceptuar dhe të udhëhequr keq.

Njerëzit e Bosnjë e Hercegovinës kanë luftuar me dekada, në një mënyrë ose tjetër, për të ndërtuar një vend më të mirë për veten. Në këtë kuptim, përgjigjja më e mirë do të vinte sërish nga Samuel Beckett: Provo sërish, dështo sërish, dështo më mirë, shkruan gazeta New York Times.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG